Shkele hadithet, rrahet Ejup Krasniqi



Një sulm me motive brendafetare Sulmuesit, pasi që e kishin zënë në kurth Krasniqin, e kishin akuzuar se nuk po i zbaton hadithet e pejgamberit dhe për këtë shkas e kanë rrahur duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.

Ejup Krasniqi, bibliotekar në Fakultetin e studimeve islame dhe ligjërues i xhumasë në xhamin e fshatit Makovc të Prishtinës është sulmuar nga persona të panjohur. Pas Xhabir Hamitit dhe mulla Osman Musliut, Ejup Krasniqi është viktima e radhës e sulmeve me motive brendafetare. Sulmuesit, pasi që e kishin zënë në kurth Krasniqin, e kishin akuzuar se nuk po i zbaton hadithet e pejgamberit dhe për këtë shkas ata e kanë rrahur duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.


Ngjarja:

Ejup Krasniqi rrëfen për "Kosova Sot" atë që i ndodhi mbrëmjen e 20 shkurtit. "Më 20 shkurt, në orën 4 pasdite më kanë thirrur dhe më kanë ftuar me shku në një qelime në fund të tunelit në hyrje të Prishtinës", rrëfen Krasniqi. Ai shton se nuk e ka ditur se kush e ka thirrur, mirëpo, pasi që ka qenë shumë afër, ka vendosur të shkojë në ato qelime. "Kam shkuar aty rreth orës 6 dhe në vendin e takimit nuk e kam gjetur personin që më kishte thirrur, dhe kam filluar me u kthyer, por një person ka ardhur me vrap dhe më ka thënë se është vonuar se i ka ikur autobusi", tregon Krasniqi.

Personi në fjalë e ka udhëzuar ta parkonte makinën aty në afërsi dhe të vazhdonin në këmbë për në shtëpinë ku gjoja do të mbahej qelimja, pasi që atje nuk shkonte vetura. "E kam parkuar makinën e kemi ecur afro 15 metra me të, kur më kanë ardhur përmbrapa tre persona, njëri ma ka futur alltinë prapa shpinës dhe të tjerët ma kanë mëshuar me grushte", rrëfen Krasniqi. Ai shton se para se të fillonte grushtimi njëri nga sulmuesit i është drejtuar me fjalët: "Ti s'po i zbaton hadithet e pejgamberit" dhe pastaj kanë vazhduar goditjet. Në një moment ma kanë vendosur alltinë në gojë dhe ma kanë kërkuar me qit telefonin. Unë ua dhashë telefonin dhe pas kësaj e kam dëgjuar kur i ka thënë hiqja kartelën", thotë Krasniqi.

Ai sqaron se në fillim ka menduar se janë hajna dhe se po donin t'i grabisnin ose paratë ose veturën, mirëpo sipas tij akuza se s'po i zbaton hadithet e pejgamberit dhe fakti se nuk i kanë marrë asgjë tjetër përpos telefonit, dëshmon se ata nuk kanë qenë hajna.

Ai shton se gjatë punës se tij nuk e di ndonjë moment kur nuk i ka zbatuar rregullat e fesë islame. "Respektimi i haditheve nuk është çështje personale. Unë nuk besoj se kam gabuar ndonjëherë në zbatimin e haditheve të pejgamberit", thotë Krasniqi. Ai thotë se personat të cilët e kanë sulmuar në fillim e kanë kontrolluar nëse ishte i armatosur, përderisa në fund ata janë shpërndarë në drejtim të panjohur. "Personat që më kanë sulmuar e kanë pasur kapuçin e vënë në krye si dhe e kanë pasur xhemperin deri në pjesën e nëngojës, pra e kanë pasur të mbuluar mjekrën dhe ka qenë e pamundur që të identifikoheshin", thotë Krasniqi. Ai shton se e ka mik të mirë Xhabir Hamitin, i cili gjithashtu është rrahur para disa muajsh në një mënyrë të ngjashme.


Dyshimet:

Edhe pse është rrahur keq, Ejup Krasniqi nuk mund ta drejtojë gishtin nga askush për sulmin ndaj tij. Por ajo që dikush i është drejtuar me akuza se nuk po e respekton fenë i çon dyshimet se sulmet të jenë kryer nga ndonjëra nga rrymat ekstreme. Ejupi thotë se nuk di për vehabistët dhe veprimtaritë e tyre, edhe pse pranon se ka informata se në Kosovë kanë filluar të futen edhe disa sekte të reja të myslimanizmit. Ai thotë se asnjëherë gjatë punës së tij në Bashkësinë islame nuk ka diskutuar për sekte të tilla, edhe pse ai thotë se është folur për to. "Mua nuk më kanë interesuar kurrë ata", thotë shkurt Krasniqi. Ai shton se gjatë veprimtarisë së tij është angazhuar për mbajtjen e fesë tradicionale. Krasniqi shton se do të ishte në gjendje edhe t'i falte sulmuesit e tij, po qe se ata do t'i tregonin se cilat rregulla të fesë i ka thyer ai. "Dua me e ditë arsyen në qoftë se e kam një grimë faj".

"Hallall i qoftë, dua me e ditë cilat hadithe nuk i kam zbatuar", thotë Krasniqi. I rrahuri Krasniqi po ashtu nuk ngurron të shpalosë mllefin e tij për punën e policisë për këtë rast. Sipas tij, policia nuk ka qenë e interesuar ta dijë se nga cilët numra është telefonuar dhe gjithashtu as që e ka fotografuar.



Autor: K. GASHI, shkurt 2009.
marrë nga gazeta: Kosova Sot