Natyra e Vehabizmit



Hyrje

Hulumtimi dhe studimi historik dhe doktrinar i vehabizmit pa tjetër kërkon qasje kryesisht nga disa aspekte kryesore:

- Politik: Raportet e ngushta të vehabistëve me dinastinë e familjes Saud dhe me qeveritë apo dinastitë dhe individët me ndikim në vend, fqinjësi dhe jashta rrethit asaj që e quajmë dar'ul-islam (shtëpia e islamit).
- Nacional-çlirimtar: Vehabizmi arriti të rritet nga një lëvizje fetare (sekt) në lëvizje politike dhe nacional-çlirimtare kundër dominimit të huaj, kryesisht i manifestuar kundër turqve.
- Fetar: Kësaj lëvizjeje i parapriu një lëvizje tjetër, ajo e Ibn Tejmijes në shek. XIV, dhe e nxënësit të tij Ibn Kajjim El-Xhevziut, të cilën Muhammed Ibn Abdulvehhabi e ndoqi në masën më të madhe të mundur. [1]

Lëvizja e vehabistëve për herë të parë futi në përdorim edhe shprehjen "selefije" (selefizmi), në kuptimin që do ta bartë deri në ditët e sotme, e ai është jomedhhebizmi. Deri atëherë dijmë për selefi salihinët, të cilët janë ndjekur nga të gjitha medhhebët e gjithëpranuara. [2]




Prejardhja dhe emërtimi i lëvizjes


Lindja, shkollimi dhe kërkimi i identitetit

Themelues i vehabizmit është Muhammed ibn Abdulvehhab, i lindur në vitin 1115 hixhrij/1703 në vendin Ujejneh, afër Rijadit, në Nexhd, oazë, e cila atëherë jetonte në mirëqenie të qëndrueshme. Rrjedh, edhe nga ana e babait edhe nga ana e nënës, nga një familje e njohur, Temim ibn Murr ibn Adnan, e cila ka dhënë kontribut për Islamin gjatë historisë. [3]

Nga babai i tij, i cili në atë kohë ishte kadi hanbelit në fshatin e tij, ka mësuar fikhun hanbelij, pastaj tefsirin, hadithin dhe shkencat tjera fetare në mënyrën klasike mesjetare. Në moshën dhjetëvjeçare u bë hafidh i Kur'anit. [4] Mendohet se ai gjatë qëndrimit në Iran dhe Irak u bë ekspert i sufizmit. [5]

Mirëpo, me kalimin e kohës, pak nga pak, ra në kontakt me veprat e Ibn Tejmijes dhe të nxënësit të tij, Ibn Kajjim El-Xhevziut, të cilët do të bëjnë ndikim të pakthyeshëm në mendjen dhe shpirtin e Muhammedit të ri. [6] Pastaj, udhëtoi në Mekë, Medinë, Hixhaz, Ihsa në Gjirin arab, në Basra shkoi më 1724 dhe kaloi katër vjet kurse në Bagdad pesë vjet, pastaj në Mosul, Damask, Kurdistan, Hemezan, Isfahan, Kum dhe Kairo. [7]

Nëpër këto vende ai kaloi mbi 12 vite duke mësuar, pos fushave fetare, edhe filozofinë dhe sufizmin. Gjatë kësaj kohe thuhet se ai edhe u martua. [8] Ibn Abdulvehhabi mësoi nga shumë mësues por më të njohurit janë: shejh Abdullah ibn Ibrahim Nexhdi, shejh Muhammed Hajat Sindhi dhe Shejh Muhammed Mexhmui. [9] Mësuesit e Muhammed Ibn Abdulvehhabit janë të shumtë dhe do të na çonte larg numërimi i tyre. [10] Disa burime, të pakonfirmuara, theksojnë se Ibn Abdulvehhabi në fillim ka mësuar literaturën dhe jurisprudencën hanefite. [11]

Pas kësaj, ndoshta në vitin 1152 h./1739, Muhammedi erdhi në vendlindje në krahinën Nexhd, jo në vendlindje, por në Hurejmli, ku ishte vendosur babai i tij, për të mbajtur ligjërata publike dhe për t'i plasuar idetë e tij. Mirëpo, nuk hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje te bashkëqytetarët e tij, madje thuhet edhe nga babai i tij, shejh Sulejman ibn Alijj. [12] Disa dijetarë pohojnë se suksesi i ibn Abdulvehhabit në Hurejmli ishte më i madh sidomos pas vdekjes së babait të tij, sepse ai deri atëherë ishte nën hijen e autoritetit të babait të tij. [13]

Pasuesit e tij mendojnë se shkaku i kësaj indiference të masës ndaj ideve të tij ishte prapambetja dhe moszhvillimi i vendit dhe dominimi i supersticionit dhe risive të shumta, [14] kurse kundërshtarët mendojnë se mësimi i Muhammed Ibn Abdulvehhabit ishte tejet i ngurtë, puritanist dhe i dhunshëm, me karakter retrograd dhe konservatist, në vend të urtisë dhe këshillës. [15]

H. Laoust thekson se pas debaklit që pësoi dhe largimit të Ibn Abdulvehhabit nga Hurejmliu, ai shkoi në Ujejne, ku qëndroi rreth katër vite dhe ku korri fitoret e para. [16] Pohohet se këtu fillimisht i ndihmoi emiri i Ujejnes, Uthman ibn Ma'mer, i cili tok me të theu varrezat dhe ekzekutoi një lavire. Mirëpo, pas pak nga emiri i Ahsait i erdhi një letër emirit të Ujejnes që ta mbyt shejh Abdulvehhabin. Ky nuk e mbyti por i dha mundësi të shkojë në cilin drejtim të dëshirojë ai. [17]

Duke e ndier rezistencën e fuqishme, Ibn Abdulvehhabi u largua nga ky vend dhe shkoi në veri të Rijadit, në fshatin Der'ijje, në vendlindjen e princit saudit. Pas shumë bisedimeve e dakordimeve, lidhi marrëveshje me familjen saudite, me mbretin Muhammed ibn Saudin, në vitin 1744, me kusht që të qëndrojë në vendin e familjes saudite, kudo që të vendoset ajo. Pas vendosjes së Muhammed Ibn Abdulvehhabit në Der'ijjeh dhe pas mirëpritjes së tij nga shumica e besimtarëve në këtë vend, përveç katër familjeve, të cilat e lëshuan vendin në shenjë mospajtimi dhe rezistence. [18] Si kundërshpërblim, princi me pushtetin e tij do ta ndihmojë shejhun dhe lëvizjen e tij. Ky bashkëpunim vazhdoi edhe pas vdekjes së tyre, kështu që në vitin 1792, djemt e të dy palëve u dakorduan ta vazhdojnë marrëveshjen e prindërve të tyre.

Ky bashkëpunim, si asociacion i dinastisë saudite dhe fundamentalizmit vehabit, vazhdon dhe dominon edhe deri në ditët tona. [19] Është interesante se në këtë marrëveshje janë bashkuar fuqia e pushtetit politik dhe fuqia e besimit, që është rast i rrallë në botën muslimane që nga koha e hulefai rrashidinëve.

Këtë fakt hulumtuesi rus D. B. Malisheva në mënyrë metaforike e përshkruan si vijon: "Ata së bashku, njëri me predikime, tjetri me shpatë, kontribuan në përhapjen e mësimit të ri, ... ". [20] Për këtë arsye edhe kjo lëvizje ka gjetur përkrahës në botën muslimane, por edhe dëshpërim kur nuk shfrytëzohet fuqia e pushtetit dhe fuqia e besimit për arritje edhe më të mëdha. [21] Muhammed Ibn Abdulvehhabi vdiq në vitin 1206 h./1792, në moshën 89 vjeçare. Lëvizja e tij ishte në rritje dhe sukseset ishin të njëpasnjëshme. [22] Pas vetes la shumë djemë dhe shumë nxënës, të cilët do ta vazhdojnë idenë e tij. Ai vetë deri në ditët e sotme mbeti teoricient i shkollës me plotë kuptimin e vet.


Emërtimi

Emërtimi "vehabij" rrjedh nga vetë emri i themeluesit. Fillimisht kjo lëvizje u quajtë "vehabij" nga kundërshtarët e tyre në botën muslimane, por më vonë ky emërtim mbeti në përdorim, por u përdorë edhe nga evropianët. Vetë pasuesit e vehabizmit mendojnë se termi "vehabij" ka filluar të përdoret për ta nga disa grupe devijante, sidomos nga shi'itët dhe sufistët. [23] Mirëpo, vehabistët vetveten e quajnë "muvehhidun" (unjësues, unitarist) dhe pasues të ehli sunnetit, respektivisht pasues të medhhebit hanbelij, si e ka komentuar Ibn Tejmijje, [24] për shkak të përkushtimit idesë mbi unitetin e Zotit dhe zellit në zbulimin dhe çrrënjosjen e të gjitha qëndrimeve dhe veprave që mund të mendoheshin idhujtari, politeizëm. [25]




Fillimet dhe krijimi i shtetit vehabit


1). Shteti i parë vehabit dhe rënia e tij

Pushtimi i Nexhdit nga ana e Muhammed Ibn Saudit (vdiq më 1765) ishte shenja e parë për daljen në sipërfaqe të një force të re fetare, politike dhe ushtarake. Ai përdori të gjitha mjetet diplomatike, politike dhe ushtarake për t'ia dalë në krye me rezistencën dhe armiqësinë e fuqishme të brendshme të fiseve në ato vise. Sukseseve të tyre u shkonin për shtati edhe kryengritjet e brendshme, të ndihmuara nga shiitët sirian dhe palestinez dhe nga kristianët, të cilat Porta e Madhe i theu vetëm në vitin 1775. Po ashtu, u ndihmoi edhe zbarkimi i francezëve në Egjipt në vitin 1798. Kështu, i biri i Muhammed ibn Saudit, Abdulazizi (vdiq më 1803), përkundër vështirësive, vazhdoi sukseset në pushtime të reja. Mirëpo, pushtimi i Rijadit më 1773 dhe bashkimi i Nexhdit më 1786 ishte prova më e sigurtë se sukseset vehabite s'kanë të ndalë. Pas këtyre viteve u pushtua edhe Ahsa, liman në gjirin persik dhe u rrezikuan edhe Iraku dhe Hixhazi. [26]

Pas vdekjes së Abdulazizit, në sundim erdhi Saud ibn Abdulazizi, i cili më 1803 e pushtoi Medinën, kurse më 1804 Mekkën. [27] Edhe më tej rrezikohej Siria dhe përforcoheshin pozitat në Siri. Meqë piratët vehabitë rrezikonin lundrimin në gjirin persik, qeveria e Indisë dërgoi disa anije në mbrojtje të anijeve të saj tregtare. Rënies së shtetit të parë vehabit i konbtriboi fakti se Sulltan Mahmuti II, i cili erdhi në sundim më 1808, synonte ta thente synimin për pavarësi të vehabistëve.

Po ashtu, në Egjipt Muhammed Aliu, me prejardhje shqiptare, i theu Memalikët dhe i forcoi pozitat si vazal dhe aleat i sulltanit. Nga një anë Sulltani dhe nga ana tjetër Muhammed Aliu gjatë viteve 1811-1815 bënë katër luftëra dhe ngadhënjyen vehabistët dhe mbretit të posaemëruar i imponuan kushte të rënda për nënshtrim. Mirëpo, sërish shpërtheu kryengritje. Kështu, në vitin 1816 nën komandën e Ibrahim pashës, u nis ushtria e fuqishme, që përfundimisht ta mund ushtrinë vehabiste më 1818, kurse mbretin Abdullah ta dorëzojë në Stamboll, të cilin Porta e ekzekutoi më 17 janar 1818. [28]


2). Shteti i dytë vehabit

Në vitin 1821, një degë e familjes Saud, me princin Turkij, sërish e formoi mbretërinë vehabite, me selinë në Rijad, jo larg selisë së mëhershme. Ata sërish e pushtuan një pjesë të Nexhdit dhe një pjesë të madhe të Gjirit persik. Mirëpo, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme në dinastinë saudite nga një anë dhe për shkak të aktivitetit të administratorit të Bagdadit, Mid'hat pashës nga ana tjetër prej vitit 1869-1872 përgatitën rrënimin e kësaj dinastie.

Po ashtu, me ndihmesën e Portës së lartë, fisi Benu Rashid, u bë kundërshtar i rrezikshëm. Duke u nisur nga kryeqendra e tyre Haila, Benu Rashidët pushtuan Nexhdin verior dhe arritën deri në Hajber dhe Tejme. Më 1884, ata pushtuan Rijadin dhe shpartalluan shtetin e dytë vehabit, kurse familja Saud u strehua në Kuvajt, te mbreti Mubarek. [29]


3). Shteti i tretë vehabit

Shtetin e tretë vehabit e formoi princi Abdulaziz, i lindur në Rijad më 1879. Ai, më 1901, në krye të një grupi njerëzish, depërtuan në Rijad dhe pushtuan selinë mbretërore. Pastaj pasuan sukseset e njëpasnjëshme dhe pas marrjes së Hailes më 1921, ai zotëroi me tërë Nexhdin. [30]

Ngjarje me rëndësi ishte edhe lufta kundër sherifit të Mekkës, por Abdulazizi më 1924 e pushtoi Taifin, pastaj Mekken. [31] Mbreti i ri, Abdulazizi bëri ca reforma ekonomike, por edhe duke ndërtuar disa xhami, që vëllezërinë fisnore ta zëvendësojë me vëllezëri fetare, sepse në të kaluarën, partikularizmi fisnor ishte pengesë kryesore për ndërmarrje më të mëdha. Në këtë aspekt ndihmë të madhe ofronin prijësat fetarë, duke mbajtur lartë entuziazmin dhe besnikërinë fetare. [32]

Kjo "vëllezëri fetare" (ihvan) në aktivitetin e tyre ishte tejet e ngurtë, kështu që të gjitha ligjet e huaja i mendonin armiqësore. Po ashtu, të gjithë muslimanët që nuk mendonin si ata, ishin në pamëshirë të tyre, ndaj duhet të betohen se heqin dorë nga bindjet e tyre dhe të mësojnë kredon e tyre nga mësuesit e rinj. Ata që refuzojnë, do të largohen nga vendi. Mirëpo, për shkak të qëndrimeve ekstremiste të ihvanëve, erdhi deri te ndarja mes tyre dhe mbretit dhe fundit të tyre më 1929, pas një lufte të ashpër. [33]

Lidhur me aktivitetin ushtarak të vehabistëve dhe të kryengritjeve të njëpasnjëshme të tyre kundër halifatit të perandorisë osmane vlen të theksohet edhe roli i anglezëve në tërë këtë. Do të kënaqemi të cekim një ngjarje nga viti 1916, kur Britania dhe Franca lidhën "Marrëveshjen e fshehtë Sykes-Picot", në të cilën parashihet ndarja e pjesës qendrore lindore të Perandorisë Osmane. Edhe më herët, por sidomos pas kësaj marrëveshje, Anglia u ka premtuar liderëve të fiseve arabe pavarësi dhe sovranitet të plotë, nëse ata do të luftojnë kundër osmanlinjve.

T. E. Lawrence (Lorenci nga Arabia) ishte i vetëdijshëm për këtë mashtrim, dhe vazhdimisht dhe skajërisht i turpëruar pohon: "Kam rrezikuar mashtrimin për shkak të bindjes se ndihma e arabëve ka qenë domemos e nevojshme 'për fitoren tonë të lirë dhe të shpejtë' në Lindje, dhe se është më mirë ta shkelim fjalën tonë dhe të fitojmë, se sa të humbim". [34]




Parimet bazore të lëvizjes vehabiste

Një vështrim analitik doktrinës vehabiste do të nxirrte në shesh tre parime kryesore, të cilat edhe do të trajtohen shkurtimisht. [35]


1). Parimi i tevhidit - monoteizmit të pastër

Vehabizmi thërret në parimin e tevhidit, të monoteizmit të pastër, i cili ka të bëjë me bazat themelore të besimit, respektivisht vehabistët thërrasin në konfirmimin e "tevhidit" dhe në mohimin e "shirkut", duke kërkuar që shenjtëria dhe adhurimi të redukohet vetëm për Allahun e lartëmadhëruar. [36]

Me "shenjtëri" dhe "adhurim" në vehabizëm nënkuptohet çdo respektim, qoftë ai që zë fill në traditë apo miqësi. Ngritja e mauzolejeve, vizitimi i rregullt i tyre dhe qëndrimi me përunjtësi para tyre nuk është rrugë deri në idhujtari dhe politeizëm, por është vetë idhujtaria. Këtu qëndron edhe faktori i ndarjes ndërmjet vehabistëve dhe të tjerëve, sepse, mendojnë të tjerët, vehabistët e teprojnë në kërkesat e tyre rigoroze, duke e quajtur veten "ehl'ut-tevhid" (unitarist), kurse të gjithë të tjerët jashta tyre i quajtën "ehl'ul-shirk" (politeist). Mirëpo, "të tjerët", i quajnë vehabistët si kokëfortë, ekstremë dhe zemërngushtë në të perceptuarit e tevhidit, sepse ndërtimi i mauzolejeve dhe vizitimi i tyre nuk është edhe idhujtaria e arabëve parakur'anor.

Jovehabistët pohojnë se idhujtaria moderne nuk konsiston në adhurimin e gurit dhe objekteve tjera, as në vizitimin e varrezave, por në moskrijimin e ndjenjës së barabarësisë ndërmjet të gjithë njerëzve, në mosrealizimin e vëllezërisë dhe bashkëpunimit ndërmuslimanë, ndërmjet individit dhe grupit, në mosrealizimin e parimeve tjera islame në mjediset, shoqëritë dhe bashkësitë muslimane. [37]


2). Parimi i afarizmit - fikhut

Vehabistët rimëkëmbjen e shohin sipas modelit të Kartës së Medinës, ku respektoheshin në përpikëri Kur'ani dhe Sunneti i Pejgamberit a.s.. Këtyre dy burimeve ata i shtojnë edhe veprimet e brezit të parë (selef'us-salih). Karaktetistikë tjetër e tyre është insistimi në Sunnet dhe në praktikën e selefi-salihit. Këtë parim vehabistët, mendojmë, ia kanë borxh shkollës së Ibn Hanbelit. [38] Meqë hadithet përfundimisht janë kodifikuar gjatë shekullit III h./IX, vehabistët janë detyruar që ta pranojnë ixhmain e tre shekujve të parë. [39]

Ata nëpërmjet theksimit të ixhtihadit nuk dëshiruan të lirohen nga konstrukcionet e gatshme të shkollave juridike dhe të lidhen me mendimet e juristëve të parë, për të cilët mendonin se janë më afër origjinalit të Muhammedit a.s. dhe në këtë mënyrë u bënë robër të një praktike tjetër, duke mos kontribuar me zgjidhje origjinale. [40]

Ata mendojnë se edhe afarizmin duhet zhvilluar sipas parimeve që ka ndjekur Ibn Hanbeli. Ata në parim pranojnë fikhun e ehli sunnetit, por jo edhe fikhun shi'it dhe dhahirit. Fikhun shi'it e refuzojnë sidomos për shkak të bindjes së shi'itëve se imami është i pagabueshëm në fjalë dhe vepra dhe se ixhtihadi i imamit është obligativ. Meqë këto virtyte i posedon vetëm pejgamberi, fjalët dhe veprimet e imamit muxhtehid nuk janë obligative për të tjerët, pos për vetë atë. [41]


3). Parimi shkencor dhe intelektual

Vehabizmi lufton kundër tendencave të ndryshme ideologjike islame, sikur lufta kundër filozofisë, ngjashëm çfarë ka bërë edhe Ibn Tejmijje dhe El-Xhevziu dhe lufta kundër bindjeve shi'ite në pagabueshmërinë e imamit dhe besimin në ndërmjetësimin që e bën imami shi'it në botën tjetër.

Vehabistët mendojnë se ndërmjetësimi si i tillë ka hyrë në shoqërinë muslimane nëpërmjet neoplatonizmit, mirëpo vehabistët neglizhojnë faktin se ndërmjetësimin e pranojnë edhe sisteme e shkolla të tjera islame. [42]

Sa i përket problemit të imamit apo halifit, ata shkojnë edhe më tutje. Jo që refuzojnë imametin shi'it, por refuzojnë edhe "institucionin e hilafetit", duke pohuar se hilafet universal nuk duhet të ketë. Ibn Abdulvehhabi mendon se në territorin e caktuar duhet shpallur sundimin e të drejtës së Zotit, dhe aty të ketë imam, e jo edhe të ketë halif universal për tërë botën. Me këtë ata provonin ta privojnë nga legjitimimi fetar Perandorinë Osmane, [43] duke e eliminuar "halifin" dhe duke e promovuar "imamin".


Doktrina vehabiste

Parimisht, doktrina vehabiste bën pjesë në doktrinën tradicionaliste islame, si vazhdimësi e shkollës hanbelite, me specifika të caktuara. Mirëpo, për dallim nga tradicionalizmi skolastik, vehabizmi do të mund të vendosej në tradicionalizmin selefi. Karakteristikë e kësaj tendence është se në qasjen dhe leximin e tyre të Teksteve (Nusus) refuzojnë ndërmjetësimin e shkollave juridike dhe të ulemasë në të cilën thirren ata. Ata quhen selefi për arsye se janë të preokupuar me ndjekjen e selefëve, shokëve bashkëkohës të Pejgamberit të Zotit dhe muslimanëve të devotshëm nga tre brezat e parë. Komentimi i Kur'anit dhe i Sunnetit bëhet në mënyrë direkte dhe shkon jashta kufizimeve që i kanë vendosur shkollat.

Dallimi ndërmjet tradicionalizmit skolastik dhe tradicionalizmit selefi është në atë se këta të fundit mbështeten në karakterin e fjalëpërfjalshëm të teksteve dhe në ndalimin e leximit interpretues. [44] Ky grup përpiqej të kthehej në pastërtinë e historisë së hershme islame në themel të Kur'anit dhe Hadithit, duke pohuar se ndryshimet e mëvonshme, shtojcat dhe zhvillimet e historisë islame qenë shkaqe të dobësisë së muslimanëve dhe se ata, së këndejmi, duhet kthyer mësimeve burimore të Kur'anit dhe Pejgamberit, si i kanë kuptuar të parët (selef), në emër të fuqizimit të sërishëm të islamit. Ky grupim propozoi se muslimanët duhet refuzuar tërë zhvillimin filozofik dhe artistik të qytetërimit islam, mënyrën e lehtë të jetës të qyteteve të mëdha dhe luksin e pakthjelltësinë që e përcjellin këtë. [45]

Doktrina dhe koncepcioni i tyre ortodoks islam, herë-herë insistues dhe këmbëngulës dhe morali i tyre rigoroz, kishte për synim kryesor eliminimin e risive (bid'a) në besim, që nuk i përkasin fesë. Me rreptësinë e tyre misionariste deri në padurueshmëri krijuan në botëkuptimin e besimtarëve indiferencë, skepsë dhe konfuzion. [46]

Mirëpo, te një pjesë e besimtarëve, vehabistët fituan simpatinë, duke zhvilluar disa virtyte, deri atëherë joprezente në mesin e tyre, si besnikërinë dhe përkushtimin në shërbim të ngritjes morale dhe politike të bashkësisë, që ishte harruar nga koha e hulefai rashidinëve. Duke apeluar te bashkëmendimtarët që në fe ta pranojnë vetëm autoritetin e Kur'anit dhe të Sunnetit dhe të lirohen nga bestytënia e trashëguar nga Mesjeta dhe duke aktualizuar vlerat e islamit zanafillor, vehabistët futën njëfarë shprese, sigurie dhe dinamizmi në mesin e muslimanëve, që një kohë të gjatë u mungonte muslimanëve. Për këtë arsye, Louis Masignoni, do t'i quajë ndër "bashkëpunëtorët e parë të rilindjes arabe". [47]

Megjithatë, më së shumti polemikë vehabistët kanë zhvilluar lidhur me kultin e shenjtorëve, ndërtimin e mauzolejeve (tyrbeve), përdorimin e tyre për lutje dhe vizitimin e tyre.

Në vazhdim do t'i theksojmë disa parime të tyre lidhur me çështjet doktrinare, pa pretendim se i kemi cekur të gjitha:

- 1. Të gjitha objektet e adhurimit përveç Allahut, janë të rrejshëm. Të gjithë ata që praktikojnë adhurim të tillë meritojnë vdekje.
- 2. Masa e njerëzve e cila përpiqet ta fitojë mëshirën e Allahut nëpërmjet vizitimit të varreve të shenjtorëve nuk është monoteiste. Këta u ngjasojnë atyre që Kur'ani i quan mushkrikun.
- 3. Politeizëm (shirk) është të futet në lutje emri i Pejgamberit a.s., njeriut të shenjtë apo engjëllit.
- 4. Politeizëm është të kërkosh ndërmjetësim te dikush tjetër përveç prej Allahut dhe Muhammedit a.s. në Ditën e gjykimit.
- 5. Politeizëm është t'i përbetohesh ndonjë qenieje tjetër përveç Zotit, Një, Të Vetmit.
- 6. Mosbesim (kufr) është të mësosh diturinë që nuk zë fill në Kur'an, Sunnet ose përzierjes së domosdoshme të arsyes.
- 7. Mosbesim dhe keqbesim është ta mohosh kaderin në çka do që ndodh.
- 8. Mosbesim është komentimi i Kur'anit me anë të te'vilit, në mënyrë metaforike, alegorike. [48]


Vështrim lëvizjes vehabiste

Zhvillimin, rritën dhe lëkundjet ideore të vehabizmit do të mund ta kundronim nëpërmjet disa pikave:

1). Meqë vehabizmi miraton shkollën e Ibn Hanbelit, si shkollë të gjithëpranuar sunnite, dhe Ibn Tejmijjen, si autoritet fetar dhe shkencor të lartë, ky fakt në njëfarë mënyre nënkupton miratimin edhe të shkollave tjera islame nga ana e kësaj shkolle. I nisur nga ajo çka prisnin dhe shpresonin masat muslimane për një lëvizje të tillë, M. Ikballi fillimin e kësaj lëvizjeje e sheh si "vezullim të parë të mirëfilltë të jetës moderne islame", [49] kurse Mekdonaldi vendin e paraqitjes së kësaj lëvizjeje e përshkruan si "vendin më të pastër në botën dekadente islame". [50]

2). Thelbi i islamit është sheriati. Kurse realizimi i islamit është në shoqërinë ku respektohet sheriati. Sheriati duhet të zbatohet në tërësinë e tij, ndaj aty nuk ka vend për të drejtën profane, as për traditën (urfin). [51] Ky ishte edhe fillimi i konflikteve medhhebore, ashtu siç veproi Ibn Tejmijje, kryesisht duke refuzuar parimin e "kijasit" dhe "ixhmait" të hanefinjve. [52]

3). Fillimisht vehabizmi nuk synonte të "kthehet në fillim" në kuptim të likuidimit të subjektivitetit ndaj shkollave të ndryshme juridike dhe pastrimit të tyre në aspektin e besimit, sikur në kohën e paraekzistimit të shkollave në besim (akaid) dhe jurisprudencë (fikh).

4). Vehabizmi edhe pse pretendon se është lëvizje rimëkëmbëse, me ixhtihad të zhvilluar, ai edhe vetë paraqet lëvizje imituese, madje një hapë mbrapa. Megjithatë, ai dallon nga drejtimet tjera imituese, sepse ka kritikuar drejtimet tjera, ka ruajtur idetë dhe veprat e Ibn Tejmijes dhe ka imponuar idetë e Ibn Tejmijes në aplikim nga qarqet qeveritare, gjë që nuk ka ndodhur as në kohën e vetë Ibn Tejmijes. Ata ishin urë për idetë e Ibn Tejmijes në brezat e rinjë. Vehabizmi ishte pozitiv nga se zhvilloi kritikën (pa e vlerësuar shkencërisht se a ishte kritikë konstruktive apo destruktive) pas disa shekujsh amulli e apati, të cilat do të zhvillohen në shekullin XIX dhe XX. M. Ikballi për këtë lëvizje thotë se "me këtë lëvizje, drejtpërdrejt apo tërthorazi, mund të lidhen gati të gjitha lëvizjet e mëdha bashkëkohore të Azisë dhe Afrikës". [53]

5). Nëse raportet ehli sunnet - shi'a në kohën e Ibn Tejmijjes ishin jo fort të mira, në kohën e Muhammed Ibn Abdulvehhabit këto raporte i keqësuan deri në maksimum. Deri sa Ibn Tejmijje ishte kritikë ndaj shi'izmit, e sidomos ndaj rafiditëve, pastaj batinitëve e grupacione e individë të tjerë, vehabizmi jazin ekzistues ndërmjet ehli sunnetit dhe shi'itëve e rriti deri në skajshmëri dhe përjashtim. Vehabizmi ishte rigoroz dhe e rriti çarjen ndërmjet popujve muslimanë dhe vetes. Këtë largim nga masat e rriti edhe më tepër shpjegimi praktik i mësimeve islame, i cili kthente jo në porositë që mund të nxirren nga jeta e muslimanëve të parë, por në aplikimin praktik të mënyrës së jetës së muslimanëve të parë. [54]

6). Vehabizmi edhe në kohën e sotme nuk e ka kuptuar kohën e industrisë dhe teknologjisë, në vend që të absorbojë industrinë si të tillë dhe të rrisë standardin jetësor të popullit, të largohet nga dobësia, përçmimi dhe varfëria dhe të ecë drejt një jete më të mirë, më të lirë dhe më humane. [55]

7). Shikuar nga rrafshi praktik dhe ideologjik, vehabizmi nuk paraqet tendencë me ndikim pozitiv në renesansën e popujve muslimanë, ndonëse këtë në fillim e premtonte, në integrimin e grupeve në shoqërinë islame dhe do të ishte e domosdoshme që pasuesit e vehabizmit të bëjnë ndryshime radikale në pozicionet e tyre: ta islamizojnë jetën, t'i islamizojnë masat muslimane, ta absorbojnë teknikën dhe shkencën dhe ta islamizojnë atë, të jenë më konstruktivë dhe fleksibilë me idetë dhe trendet brendamuslimane dhe jashtëmuslimane. [56]


Ndikimi i vehabizmit

Vehabizmi gjatë tërë historisë së tij ka pasur mbrojtës, simpatizues dhe pasues si brenda vendit ashtu edhe jashtë territorit ku shtrihej sundimi i tyre, sidomos në mesin e dijetarëve dhe intelektualëve me ndikim. Pak vende ka që nuk kanë ra nën ndikimin e tyre, madje në disa vende duke formuar lëvizje të ngjashme, në Lindje në Indi e Indonezi, kurse në Perëndim në Sudan dhe në Afrikën Veriore. Ndikim ka pasur shumë herët në Gjirin persik, pastaj në Jemen, ku erdhi në konflikt me zejdizmin. Ndikoi edhe në Irak, [57] Siri, madje edhe në Marok. [58] Pa dyshim, vehabizmi ndikoi edhe në Indi, nëpërmjet Sheriatullahut, i cili ndërmjet viteve 1782-1802 qëndroi në Mekkë, dhe më 1804 formoi lëvizjen e ngjashme me atë të vehabitstëve me emrin "feraidijje".

Kemi edhe lëvizje të tjera, sikur ajo e Sejjid Ahmed de Bareillit, Siddik Hasan Hanit etj., të cilat tërthorazi apo drejtpërdrejt, kanë qenë nën ndikimin vehabit, në aktivitetin e tyre të brendshëm dhe atë të jashtëm kundër dominimit anglez. [59]

Vehabistët i gjejmë edhe në Turkestan, ku më 1871 në Karas sulmuan ushtrinë ruse, por nuk mund të thuhet se vepruan në mënyrë atafgjate. Ngjashëm i gjejmë edhe në Afganistan. [60] Mendohet se vehabizmi ka ndikuar edhe te Xh. El-Afganiu, M. Abduhu, Senusiu dhe te dijetarë të tjerë, [61] e madje edhe te Emir Shekib Arsllan, [62] Ihvanu'l-muslimanët e Egjiptit në gjusmën e dytë të shekullit XX. [63]

Dijetari i njohur boshnjak F. Karçiq mendon se ndikimi i "modelit të tranformimit vehabist i shoqërisë muslimane ka pasur ndikim në viset që sipas karakteristikave gjeografike dhe sociale kanë qenë të ngjashme me të Arabisë", [64] por edhe në viset tjera që theksuam më lartë, të ndikuara ndërsjellësisht nëpërmjet arsimimit dhe vizitës haxhit. [65] Orientalisti i njohur, F. Hiti, ndikimin vehabit e shpreh në mënyrë mjaft lucide, duke thënë se përkundër humbjes së vehabinjve nga guvernatori egjiptian, Muhammed Aliu, "mësimi i vehabinjve, ndërkaq, edhe më tej zgjerohej, dhe ndikimi i tyre është ndier nga Sumatra, në Lindje deri në Nigeri, në Perëndim". [66]

Krahas ndikimit ushtarak dhe politik, vehabinjt ndikuan edhe ekonomikisht dhe kulturalisht. Kjo ndodhi sidomos pas zbulimit të burimeve të naftës. Mirëpo, përkundër pasurisë së madhe, shteti vehabij, deri në ditët e sotme, këtë pasuri e shfrytëzoi në mënyrë joinstitutucionale, primitive (me metoda akohore dhe nëpërmjet individëve të korruptuar moralisht dhe intelektuaslisht), joproduktive dhe jointelektualisht. Këtë e pohon edhe profesori egjiptian, M. Behij, duke thënë se "ata ende nuk kanë ndërmarrë hapa pozitiv ... për prezantimin e tij të mirëfilltë ndaj botës". [67]

Ndikimi u zhvillua nëpërmjet djemve të tij: Shejh Husejn Ibn Muhammed ibn Abdulvehhab dhe Shejh Abdullah ibn Muhammed ibn Abdulvehhab, Shejh Alij, Shejh Ibrahimi, [68] nxënësve të tij [69] edhe nëpërmjet literaturës së Muhammed Ibn Abdulvehhabit dhe të autorëve të tjerë të rekomanduar nga vehabinjt. Mirëpo, këtë aktivitet e ka dobësuar mungesa e shtypshkronjave në territorin vehabit. Veprat e Muhammed ibn Abdulvehhabit qarkullonin në dorëshkrim në gjuhën letrare (fus'ha) dhe dialektore (amijeh), për të ndikuar më drejtpërdrejt në masë. [70] Mirëpo, vehabistët në Indi kanë botuar dhe shkruar libra vehabiste në gjuhën urde, persishte dhe arabishte. [71]

Është vështirë të saktësohet se çka ka shkruar Muhammed ibn Abdulvehhabi, mirëpo, biografët pohojnë se ka shkruar disa vepra: [72]

- Usul'ul-iman, e botuar në Kairo,
- Fedail'ul-islam,
- Fedail'ul-Kur'an,
- Kitab'ul-kebair,
- Keshf'ush-shubuhati fi't-tevhid, Kairo,
- Kitab'ut-tevhid, Rijad, është botuar edhe në gjuhën shqipe me titull "Monoteizmi islam", Shkup, 1412 h./1992,
- Kitabu Mexhmuatu't-tevhid (16 traktate të Ibn Tejmijes dhe Muhammed ibn Abdulvehhabit), Medinë, pa vit botimi, në 681 + 9 faqe,
- Tefsir'ul-Kur'an,
- Muhtesar Siret'urr-Resul, bot. I, Rijad, 1419 h./1999,
- Thelathet'ul-usuli ve edil-letuha, Rijad dhe në gjuhën shqipe me titull "Tre themelet ... ". [73]

Ahmed Emin pohon se Muhammed ibn Abdulvehhabi i ka shkruar një letër me dorën e tij Ibn Tejmijjes dhe se kjo letër gjendet në Museumin Britanik në Londër. [74]

Rozhe Garodi, francez, njëri prej intelektualëve më të mëdhenj botëror, që përqafoi islamin në vitet e 80-ta të shekullit XX, mendon se "shteti vehabit, duke filluar nga vitet e 70-ta, do të bëhet epidendër e termetit integralist në botën muslimane". Ai më tej thekson se ekzistojnë disa kanale të ndikimit saudit: "Ekziston më së pari emërimi dhe dërgimi i numrit të madh të imamëve që do të udhëheqin me xhamitë. Ata mund të jenë të nacionaliteteve të ndryshme me kusht që të jenë formuar sipas dogmatizmit, tradicionalizmit rigoroz dhe obskurantizmit saudit". [75] Kohëve të fundit sidomos, qeveria vehabiste, nëpërmjet shoqatave arsimore-humanitare ka bërë invazion në përkthimin dhe shpërndarjen e literaturës vehabiste në gjuhë të ndryshme. Mirëpo, ky aktivitet karakterizohet me një diletantizëm të vërtetë, duke ofruar një përzgjedhje të dobët të veprave dhe një punë të dobët në përkthim dhe shpjegim.


Vështrim konstruktiv për dhe kundër lëvizjes vehabiste

Vehabistët, krahas kundërshtarëve ushtarakë, kishin edhe kundërshtarë doktrinarë. Qysh me paraqitjen e tyre u paraqit një numër i madh shkrimesh që kundërshtonin parimet e tyre, sidomos me prejardhje egjiptiane, osmane dhe të vendeve të tjera. [76]

Në to kryesisht theksoheshin mangësitë e kësaj lëvizjeje, eksagjerimet e tyre në politik, vrazhdësinë, ngurtësinë dhe ekskluzivitetin e tyre teorik dhe praktik. Madje, Ed-Dahlani, mufti i Mekes, paraqitjen e vehabistëve e quajti hiq më pak se "fitne". [77]

Një tjetër dijetar arab paraqitjen e lëvizjes vehabiste e shikon: "Potez i suksesshëm që Perëndimi e tërhoqi ishte themelimi i një lëvizjeje fetare e cila në formën e saj të jashtme do të dukej islame, e në esencë detyra e kësaj lëvizjeje do të ishte që vendet perëndimore, nëpërmjet saj, ta marrin pushtetin mbi muslimanët dhe ta rrënojnë hilafetin". [78]

Në një burim tjetër, bashkëkohës të lëvizjes vehabiste, lexojmë: "Kur shteti osman u shkatërrua, i cili ishte ruajtës i islamit dhe shërbëtor i alimëve të ehli sunetit, duke iu nënshtruar planeve shekullore të franmasonëve, misionarëve dhe politikës poshtëruese të Perandorisë Britanike, e cila për këtë qëllim ka vënë në lëvizje të gjitha forcat materiale, jomedhhebistët panë mundësinë. Ata me gënjeshtra dhe strategji djallëzore filluan t'i sulmojnë alimët e ehli sunnetit dhe ta shkatërrojnë islamijjetin përbrenda e sidomos në vendet siç është Arabia saudite, ku alimët e ehli sunnetit nuk guxojnë të flasin haptazi. Pasuria e shumtë që vehabistët e kanë shpenzuar për këtë qëllim, ka ndihmuar që ky agresion të përhapet nëpër tërë botën, ... njerëz të caktuar, me dije të vogël ose pa të, që nuk i frikësohen Allahut, kanë fituar pozita dhe shtëpi për banim si kundërvlerë për ndihmesën e tyre këtyre agresorëve". [79] Argumentet dhe kundërargumentet kryesisht janë ato që disa shekuj më herët i janë bërë shkollës hanbelite. Për shkak të qëndrimit tradicionalist në të kuptuarit e çështjeve të besimit, ata janë akuzuar për antropomorfizëm [80] dhe ultrakonzervatizëm. [81]

Vehabizmi ndër synimet e tij kishte edhe pengimin e kelamit dhe të filozofisë islame, por pos që këtë në masë të madhe e arriti në Siujdhesën Arabe, me mjete të dhunshme dhe kërcënuese, këtë nuk arriti ta bëjë në Egjipt, Turqi, Iran, Indi dhe në vendet tjera islame dhe në diasporën islame nëpër botë. Nuk arriti ta pengojë as sufizmin dhe shi'izmin, e edhe më pak depërtimin e ideve dhe sistemeve perëndimore, nëpërmjet formave të ndryshme: ushtarake, politike, ekonomike, arsimore, kulturore, humanitare etj..

Ndonëse nuk mendojmë të ndalemi në komentim më të gjerë, megjithatë tendenca e vehabistëve për eliminimin e medhhebeve dhe moszgjedhja e mjeteve për zhdukjen e tyre na detyron të konstatojmë se angazhimi i tyre "ka qenë" dhe "është" i paarsyeshëm. Për shembull, me rastin e komentimit të një hadithi mbi ardhjen e sërishme të Isait a.s. në tokë, grupi i zjarrtë i jomedhhebistëve (me N. Albanin e famshëm në krye) pohon: "Kjo qartë tregon në atë se Isai a.s. do të gjykojë sipas sheriatit tonë, d.m.th. sipas Kur'anit dhe Sunnetit, e jo me diçka tjetër, siç është Inxhili, fikhu hanefij apo diç e ngjashme", dhe me këtë komparacion ai fikhun hanefij e krahason me Inxhilin etj.. [82]

Disa mendojnë se urdhëri i sulltanit për t'iu kundërvënë lëvizjes vehabiste ishte i motivuar për dy shkaqe kryesore:

1. Frika e sulltanit për pushtetin e tij dhe për hilafetin e tij, nëse vjen deri te ndikimi dhe zgjerimi i kësaj lëvizjeje edhe në pjesët tjera të perandorisë.
2. Mosrehatia dhe antipatia e muslimanëve për shkak të vrazhdësisë së lëvizjes vehabiste në raport me muslimanët tjerë që nuk i përkisnin lëvizjes së tyre, në luftën e tyre të rreptë kundër "risive" dhe "idhujtarisë". [83]

Atyre u zihet për të madhe që në emër të eliminimit të bid'ateve, me rastin e pushtimit të Medinës, e rrënuam kuben mbi kaburin (varrin) e Muhammedit a.s., e plaçkitën huxhren (lokacionin ku gjendej trupi i Muhammedit a.s. dhe çdo gjë që kishte aty. [84]

Po ashtu, janë rrënuar tyrbet dhe nishanet në varrezat më të njohura, siç janë Bekia medinase, varrezat e luftëtarëve të Uhudit, me ç'veprim është kryer urbicid. [85]

Shejh Jusuf Rifai ka numëruar dhjetëra shembuj të rrënimeve të pashembullt ndaj kujtimeve të personaliteteve më të dashura ndër muslimanët nga ana e vehabistëve:

- Në vend të varrit të Emines, nënës së Muhammedit a.s. në Ebva, sot qëndron rezervoari për benzinë.
- Në vend të shtëpisë së Hatixhes r. anha sot gjendet tregu i kafshëve.
- Në vend të shtëpisë së Muhammedit a.s. sot është nevojtorja (WC) publike.! [86]

Është mendim i shkencëtarëve se shumica e kundërshtimeve të masave dhe intelektualëve muslimanë ishin kundër aktiviteteve politike të vehabistëve dhe kundër militantizmit ekstrem të tyre. [87] Ata pohojnë se shpallja e luftës së shenjtë kundër të gjithë atyre që nuk ishin me ta, ishte jashtë çdo mase. Ata ku depërtonin, shkretëronin, plaçkitnin në emër të presë së luftës dhe mbysnin të gjithë kundërshtarët, sepse i shpallnin për renegjatë, heretikë.

Disa madje pohojnë se qëndrimi militant dhe jotolerant i vehabistëve ndihmoi në vetëhumbjen e tyre. [88]

Kishte edhe aso shkrimesh e deklaratash që e përkrahnin lëvizjen vehabiste. Lëvizja vehabiste krahas dhunës, vrazhdësive dhe ngurtësive të mëdha që janë të dukshme gjatë gjithë kohës së veprimit të tyre, kohëve të fundit ka përkrahësit e saj, të cilët pohojnë se kjo lëvizje ka dhënë kontribute të shumta:

- Vehabizmi ka meritë në përhapjen e njohjes së islamit në viset shkretinore të Arabisë, banorët e të cilave vise ishin të lënë pasdore skajshmërisht. [89]
- Vehabizmi u bë sinonim i lëvizjeve përtëritëse, pastruese të fesë në shekujt XVIII, XIX dhe në fillim të shek. XX, dhe reaksion i rreptë ndaj degradimit moral nga primesat degraduese dhe shtresimet e shumta dhe të ndryshme. [90] Mendohet se islami arab kishte rënë në pozita të ulta. Madje edhe qytetet kryesore, Meka dhe Medina, po përjetonin një degradim shoqëror, moral, fetar dhe intelektual. [91]
- Përkrahësit e vehabistëve theksojnë një karaktersitikë tjetër të natyrës socio-religjioze të vehabistëve, të cilët afër lumenjve dhe burimeve kanë themeluar kooperativa bujqësore, të cilët kanë ekonomizuar, por njëkohësisht edhe kanë qenë si armatë emergjente, në rast nevoje. Disa kritikë dhe analistë thonë se në pikëpamje të organizimit të brendshëm të lëvizjes, ndonëse i luftonin skajshmërisht, vehabistët i ngjasonin organizimit të sistemit të tarikateve sufiste, ndonëse përmbajtja e tyre ishte tradicionale, ortodokse. [92]
- Insistimi vehabist në përdorimin e arsyeshëm të ixhtihadit dhe gjykimi i tyre i taklidit ka vepruar si forcë çliruese dhe sigurisht ka ndikuar në rrjedhën e mëtejshme të zhvillimit islam më shumë e cilado forcë tjetër e asaj kohe dhe ka ndikuar fuqishëm edhe në forcat tjera të kohës që do të pasojë. [93]
- Përkrahësit e vehabizmit theksojnë se vehabizmi ka insistuar në esencë e jo në formë, idealitetin e tij e jo realitetin, ka insistuar në atë çka duhet bërë e jo në atë çka kanë bërë muslimanët gjatë historisë. [94]

Si përfundim mund të thuhet se lëvizja vehabiste në fillim kishte çdo karakteristikë të lëvizjes së mirëfilltë. Ai fillimisht nuk kishte karakteristika dhe atribute sektariste, frakcioniste, ekskluzive, anatemuese dhe urbicidale e gjenocidale, por bënte pjesë brenda shkollës sunnite hanbelite. Mirëpo, ballafaqimi me jetën dhe veprimi tejet rigoroz dhe përjashtues i tyre e futi këtë lëvizje më tepër në rradhën e sekteve se sa të shkollave (medhhebeve) islame, si në rrafshin fetar ashtu edhe në atë politik, duke lënë anash ixhtihadin aq të propaganduar nga ata dhe duke ndjekur rrugën e formalizmit ekstrem. Megjithatë, është për të shpresuar se shekulli XXI do të shënojë dalje nga ku qorrsokak i vehabizmit.



Autor: Nexhat S. IBRAHIMI,
Boton: Zëri islam - Prizren, 2004.



_________________________

[1] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 10.
Edhe të tjerët, lëvizjen vehabiste e mendojnë se ka bartur flamurin e thirrjes për reformën fetare në shekullin XII h./ XVIII. Lexo: Pol Shmit, El-Islamu kuvvetu'l-gadd'il-alemijjeti, Kairo, 1974, fq. 137.
[2] - Gjerësisht: Mevlana Halid-i Bagdadi, Iman i Islam (I'tikadnama), New York, USA, 1999, fq. 123.
[3] - Abdurr-rrahman ibn Alij El-Arinij, Esh-Shejh Muhammed ibn Abdulvehhab ... , IV, op. cit., fq. 197-201.
[4] - Mani' Ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuatu el-mujessiretu fi el-edjani ve'l-medhahibi ve'l-ahzabi'l-measireti, pjesa I, botimi III, Rijad, 1418, fq. 164. El-Abud, I, op. cit., fq. 136 e tutje ... .
[5] - F. M. Denny, op. cit., fq. 761. El-Abud, I, op. cit., fq. 134.
[6] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 10. Data e lindjes dhe vdekjes gjendet në varianta të ndryshme.
[7] - El-Abud, I, op. cit., fq. 145 e tutje.
[8] - Muhammed Ibn Abdulvehhab, Tre themelet dhe argumentet e tyre, Shkup, 1413/1992, fq. 5-6. Henry Laoust, Raskoli u islamu, Zagreb, 1989, fq. 288.
[9] - Abdul hamid Siddiki, Muhammed bin Abdu al-Wahhab i njegov pokret, në: M. M. Sharif, Historija Islamske Filozofije, II, Zagreb, 1988, fq. 429.
[10] - El-Abud, I, op. cit., fq. 154-200. Dijetarët vehabistë mendojnë se Abdulvehhabi nuk ka mësuar persishten dhe turqishten.
[11] - Wahhabi: www.globalsecurity.org/military/world/gulf/wahhabi.htm.
[12] - Ed-Dahlani, ish-mufti i Mekes, pohon se babai dhe vëllai i tij, shejh Sulejmani një kohë të gjatë janë përpjekur ta bindin Muhammed ibn Abdulvehhabin të heqë dorë nga bindjet e tij ekstreme dhe pas dështimit, ata janë distancuar nga ai. Sejjid Ahmed Ibni Zejn Dehlan etj., E vërteta rreth vehabizmit dhe vehabistëve, Prizren, 1423/2002, fq. 6-7. Madje, vëllai, shejh Sulejmani ka shkruar edhe një vepër për këtë qëllim, me titull: Es-sevarik'ul-ilahijjeh fi reddi ale'l-vehabijjeh, Damask, 1997.
[13] - El-Abud, Akidet'ush-shejh Muhammed ibn Abdu'vehhab es-selefijjeh ve etheruha fi'l-alemi'l-islamijj, xhuz'u'th-thani, Medinë, 1419 h., fq. 144.
Ndoshta babai i ibn Abdulvehhabit ka vdekur më 1154 h. sipas: El-Abud, I, op. cit., fq. 152.
[14] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 10.
Mani' Ibn Hammad El-Xhuhenij, op. cit., fq. 165.
[15] - Ka mendime se Muhammed ibn Abdulvehhabi filloi me punën e tij të madhe sidomos pas vdekjes së babait të tij. Sipas: Imam Bedrul'a'lam shejh Abdullah ibn shejh Muhammed ibn Abdulvehhab, Muhtesar siret'ur-Rresul, botimi I, Medinë, 1419 h./1999, fq. 3.
[16] - H. Laoust, op. cit., fq. 289. Për aktivitetin në Hurejmli shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 143-144.
[17] - Mani' Ibn Hammad El-Xhuhenij, op. cit., fq. 165. Për aktivitetin në Ujejneh shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 144-150.
[18] - N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 656. Për aktivitetin e Abdulvehhabit në Der'ijjeh shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 161 e tutje.
[19] - F. M. Denny, op. cit., fq. 761. Dzon Obert Vol, Postavljanje temelja za obnovu i reforme, në: Okfordska Istorija Islama, Beograd, 2002, fq. 548.
Disa burime të afërta me vehabistët pohojnë se aleanca e vehabistëve dhe britanikëve nuk ka zgjatur gjatë kohë, sepse "Shejh Muhammed ibn Abdulvehhabi ka refuzuar ofertën e britanikëve, sepse ky dëshironte që tërë rajoni të ishte nën shtetin islam, dhe ideja e tij mos të limitohej në Arabi". Raportet vehabisto-saudite-britanike nuk kanë qenë çdo herë të mira, e konfliktet e fundit i kemi në vitin 1979 e pas. Shih: www.al-islami.com/islam/truth_about_wahabism.php.
[20] - V. B. Luckij, Novaja istorija arabskih stran, Moskva, 1966, sipas: D. B. Malyseva, Islam (do pocetka XX stoljeca), në: Argumenti - casopis za drustvenu teoriju i praksu, nr. 2/1982, Rijeka, Hrvatska, fq. 110.
[21] - Muhammed El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 10.
[22] - Data e vdekjes së Ibn Abdulvehhabit dallon nga burimi në burim. Përmenden datat 1787, 1791, 1792 etj., Muhammed Ibn Abdulvehhab, Tre themelet dhe argumentet e tyre, Shkup, 1413/1992, fq. 6.
[23] - Sipas: The Truth about "Wahhabism", në: http://www.al-islami.com/islam/truth_about_wahhabsm.php. Burimi i sipërm rekomandon se vehabistët do të duhej të quheshin selefij. Khrs. edhe: Oksfordska Istorija Islama, op. cit., fq. 828.
[24] - Nerkez Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 656. F. M. Denny, në: Enciklopedija Zivih Religija, Beograd, 1990, fq. 761.
[25] - F. M. Denny, op. cit., fq. 761. Khrs. edhe: Oksfordska Istorija Islama, op. cit., fq. 828.
Mendojmë se në esencë nuk luan rol se si do të quhen pasuesit e Ibn Abdulvehhabit: vehabistë, selefistë, unitaristë apo me emra të tjerë. Esenciale është doktrina e tyre në aspektin fetar dhe aplikimi praktik i kësaj doktrine në rrafshin historik. Këtu edhe mund të vlerësohet pranueshmëria apo mospranueshmëria e tyre në gjirin e familjes së gjithëpranuar islame. Shih: Abdurr-rrahman ibn Alij El-Arinij, IV, op. cit., fq. 127 e tutje.
[26] - H. Laoust, op. cit., fq. 291. Shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 177.
[27] - Abdulkadim Dhel-lumi pohon se datat e pushtimit të Mekes dhe Medinës ishin shumë mirë të sinkronizuara nga anglezët, sepse po këtë kohë edhe Karaxhorxhe në Serbi sulmoi perandorinë osmane nën trysninë angleze, me qëllim të rrënimit përfundimtar të hilafetit islam. Sipas: Dehlan etj., op. cit., fq. 37 dhe 72.
[28] - H. Laoust, op. cit., fq. 292. Joseph von Hammer, Historija Turskog /Osmanskog/ Carstva, pjesa 3, Zagreb, 1979, fq. 310 dhe 315 e tutje. Shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 161-255.
[29] - H. Laoust, op. cit., fq. 293. N. Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 657. Ande Remon, op. cit., fq. 531. Shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 257-294.
[30] - Rreth ikjes së familjes së Saudëve në Kuvajt dhe kthimit të tyre triumfal lexo të dhëna autentike nga Muhammed Asad, njërit nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve. Muhammed Asad, Rruga për në Mekë, Shkup, 2003, fq. 225 e tutje.
[31] - H. Laoust, op. cit., fq. 293.
[32] - Gjerësisht: N. Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 657-658.
[33] - H. Laoust, op. cit., fq. 293-295. Shih: El-Abud, II, op. cit., fq. 295-370.
[34] - Një pjesë nga ajo "fitore e lirë dhe e shpejtë" ishte humbja e 100.000 muslimanëve.
Gjerësisht lexo: Lawrence, T. E., Seven Pillars of Wisdom, Cape, London, 1935, fq. 24, sipas: F. William Engdahl, Stoljece rata - Anglo-americka naftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000, fq. 75, 100 dhe 368.
Për marrëveshjen Sukes - Picot, për marrëdhëniet arabo-islame nga një anë dhe kristiane-evropiane nga ana tjetër shih: Pol Shmit, op. cit., fq. 48 dhe përgjithësisht 3-372.
[35] - Shih rreth doktrinës dhe pikëpamjeve tjera: Abdurr-rrahman ibn Alij El-Arinij, Esh-Shejh Muhammed ibn Abdulvehhab ... , në: Min a'lami't-terbijjeti'l-arabijjeti'l-islamijjeti, pjesa IV, Rijad, 1409 h./1999, fq. 197-226.
[36] - Sidomos kanë qenë kundër kultit të personalitetit, shenjtorëve në sufizëm dhe eksagjerime të ngjashme. Madzid Fahri, Filozofija i teologija od 8 veka do danas, në: Oksfordska Istorija islama, op. cit., fq. 303.
[37] - Gjerësisht: Muhammed El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 11. Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup - Prishtinë, Tiranë, 2004, fq. 9-13.
[38] - F. Karcic, Drustveno pravni ... , op. cit., fq. 63.
[39] - F. Rahman, op. cit., fq. 275. Shih: El-Abud, I, op. cit., fq. 277-278.
[40] - F. Karcic, Drustveno pravni ... , op. cit., fq. 63. Abdul Hamid Siddiki, Muhammed bin Abd al-Wehhab i njegov pokret, op. cit., fq. 431.
[41] - Gjerësisht: M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 12.
[42] - Gjerësisht: M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, op. cit., fq. 12.
[43] - Erwin I. J. Rosenthall, Islam in the Modern National State, Cambridge, 1965, fq. 15, sipas: F. Karcic, Drustveno pravni ... , op. cit., fq. 63.
Në vitin 1787 emiri Abdulazizi e proklamoi administratën e pavarur shtetërore dhe e futi sistemin trashëgues të sundimit (hukm wirathi), duke i siguruar vend të birit Saudit të bëhet halif pas tij. Muhammed ibn Abdulvehhabi ishte i pranishëm në këtë promovim, mirëpo si duket, kishte harruar thënien e Muhammedit a.s.: "Nëse i jepet zotimi (bej'at) dy halifëve, mbytne të fundit prej atyre dyve". Sipas: Dehlan etj., op. cit., fq. 42.
Fatkeqësisht, sistemi trashëgues, sipas shembullit politik, kaloi edhe në rrafshin fetar. Pas vdekjes se Muhammed ibn Abdulvehhabit më 1792, trashëgues u bë i biri i tij. Dehlan etj., op. cit., fq. 43.
[44] - Sipas: Tarik Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002, fq. 292-293.
Në këtë grupacion, të njohur me dituri dhe rigorozitet shkencor, bëjnë pjesë disa autoritete të hadithit, sikur: Nasiruddin Albani, Ibn Uthejmini dhe Ibn Bazi. Në rrafshin politik, sikur edhe tradicionalistët tjerë, treguan qëndrim konservativ: pa kundërshtim pranojnë autoritetin e qeverisë, pa marrë parasysh çfarë është, pasi është islame, dhe refuzojnë të përdorin termat sikur që janë zgjidhjet, parlamenti apo demokracia, meqë këto terma nuk janë përmendur as në Kur'an as në hadith. Duke refuzuar angazhimin në domenin politik, ata shpesh i shërbejnë, me vetëdije apo jo, legjitimizimit të pushtetit ekzistues, meqë tekstualiteti dhe pohimet e tyre, nuk përmbajnë kurrfarë përmbajtje konkurente politike. T. Ramadan, op. cit., fq. 299-300.
[45] - S. H. Nasr, Vodic mladom muslimanu, Sarajevë, 1998, fq. 153.
[46] - Shih: www.al-islami.com/islam/truth_about_wahabism.php.
[47] - Gjerësisht: Ali Merad, op. cit., fq. 138-139.
[48] - Sipas: N. Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 656. F. M. Denny, op. cit., fq. 761.
Gjerësisht për doktrinën vehabite në gjuhën shqipe lexo: Muhammed Ibn Abdulhevvab, Kitab et-tevhid - Monoteizmi islam, Shkup, 1412/1992, fq. +143 dhe Muhammed Ibn Abdulvehhab, Tre themelet dhe argumentet e tyre, Shkup, 1413/1992, fq. +30.
Në gjuhën arabe lexo: Salih ibn Abdullah ibn Abdurrahman El-Abud, Akidet'ush-shejh Muhammed ibn Abdulvehhab es-selefijjeh ve etheruha fi alem'il-islamijj, I-II, Medinë, pa vit botimi, I: + 703 faqe dhe II: + 525 faqe.
[49] - M. Ikbal, Obnova vjerske misli u islamu, bot. II i plotësuar dhe i ndryshuar, Sarajevë, 2000, fq. 180.
[50] - M. Ikbal, op. cit., fq. 180.
[51] - F. Karcic, Drustveno pravni ... , op. cit., fq. 63.
[52] - M. Ikbal, op. cit., fq. 179.
[53] - M. Ikbal, op. cit., fq. 180.
[54] - Edhe perëndimorët pranojnë se vehabizmi fillimisht kishte për qëllim që islamit t'ia kthejë tërë pastërtinë zanafillore, të përdhosur gjatë zhvillimit shekullor, të cilin ai e mendon të kundërt me mësimin e Muhammedit. Sipas: Andre Remon, op. cit., fq. 520.
[55] - M. Ikbal, op. cit., fq. 180.
[56] - Gjerësisht: Muhammed El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 12-14.
[57] - Sulmet e Ibn Saudit mbi Irak qenë viteve të fundit të Sulejmanit, më 1797 dhe 1799, kur u thyen nga forcat e sulltanit. Mirëpo, më 1802, forcat vehabiste sulmuan rreptë mbi Kerbelë, me ç'rast e plaçkitën dhe e rrënuan. Shih: Andre Remon, Arapske provincije (XVI-XVIII vek), në: Rober Mantran, Istorija Osmanskog Carstva, Beograd, 2002, fq. 478.
[58] - H. Laoust, op. cit., fq. 295-296.
[59] - H. Laoust, op. cit., fq. 317-322. Nerkez Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 658.
[60] - Nerkez Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 658.
Mbi ndikimin vehabist gjerësisht lexo: El-Abud, II, op. cit., fq. 371-462.
[61] - A. Smajloviq, Muhammed Ibn Abdulvehhab, në: Muhammed Ibn Abdulvehhab, Tre themelet ... , op. cit., fq. 8-9.
[62] - El-Abud, II, op. cit., fq. 410.
[63] - F. Rahman, Duh islama, Beograd, 1983, fq. 277-278.
[64] - F. Karcic, Drustveno pravni aspekt islamskog reformizma (tezë doktorature), Sarajevë, 1990, fq. 64.
[65] - F. Rahman, op. cit., fq. 275.
[66] - F. Hiti, op. cit., fq. 666.
[67] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao nr. 27, op. cit., fq. 11.
[68] - El-Abud, I, op. cit., fq. 195-196.
[69] - El-Abud, I, op. cit., fq. 196-200.
[70] - El-Abud, II, op. cit., fq. 185.
[71] - N. Smailagic, Leksikon ... , op. cit., fq. 658.
[72] - Nuk është e sigurt cilat vepra saktë i ka shkruar Abdulvehhabi, por disa i përshkruhen me siguri. Sipas: El-Abud, I, op. cit., fq. 201 e tutje.
[73] - A. Smajloviq, në: Muhammed ibn Abdulvehhab, Tre themelet ... , op. cit., fq. 9-10, të përkthyer nga ne dhe M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao nr. 27, op. cit., fq. 11.
Këtë vepër Ibn Abdulvehhabi e shkroi me kërkesë të Abdulaziz ibn Saudit. Sipas: El-Abud, II, op. cit., fq. 184.
[74] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao nr. 27, op. cit., fq. 11.
[75] - Roger Garaudy, Integrismes, p. 10, sipas: Aleksandar del Val, Islamizam i Sjedinjene Države alijansa protiv Evrope, Beograd, 1998, fq. 122.
[76] - Për aktivitetin politik të Muhammed ibn Abdulvehhabit dhe dinastisë saudite ka shumë vepra, por vlen të lexohet vepra: Confession by British spy (përkthimi arabisht: Itarafat el-xhasus el-inklizi, e nga ky: Mudhekkeratu Mister Hempher, i botuar në Kairo, Daru'l-kitab'is-sufi).
Përkthimi në gjuhën shqipe: Dëshmitë e spiunit anglez Mister Hempher alias Muhammed efendi. Thuhet se Muhammed Ibn Abdulvehhabi ishte njoftuar me këtë spiun anglez, në Irak, Basra, në vitin 1122 hixhrij e pas, special të dërguar për këtë qëllim dhe vazhdoi të shoqërohet deri në themelimin e lëvizjes vehabite.
Për ata që njohin turqishten shih përkthimin në turqishte: Siddik Gümüs, Ingiliz casusunun i'tiraflari ve Ingilizlerin Islam Düsmanligi, Istanbul, 2000.
[77] - "Fitneja e tyre ishte fatkeqësi që e pësuan ithtarët e Islamit dhe nga shkaku i tyre është derdhur shumë gjak, është grabitur shumë pasuri dhe me paraqitjen e tyre është shkaktuar dëm i madh ... ". Dehlan etj., op. cit., fq. 31.
[78] - Abdulkadim Dhel-lum, Komploti kundër shtetit islam, në: Dehlan etj., op. cit., fq. 37.
[79] - Gjerësisht: Mevlana Halid-i Bagdadi, op. cit., fq. 119.
[80] - H. Laoust, op. cit., fq. 296. Dehlan etj., op. cit., fq. 31.
[81] - F. Rahman, op. cit., fq. 276.
[82] - Shprehjet dhe tendencat e këtilla janë të shumta. Shih: Muhammed Seid Ramadan El-Buti, El-la medhhebijjetu - ahtaru bid'atin tuheddidu'sh-sheriat'il-islamijjeti, Damask, pa vit botimi, fq. 91, por edhe tërë libri. Shih edhe përkthimin në gjuhën shqipe të këtij libri, Jomedhhebizmi, Tetovë, 2002.
[83] - Muhammed El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, op. cit., fq. 11.
[84] - Dehlan etj., op. cit., fq. 24.
Lammens, Islam: Beliefs and Institutions, p. 184, në: Muslim Movements and Schisms, www.http:/answering-islam.org.uk/Gilchrist/Voll/9d.html.
[85] - Dehlan etj., op. cit., fq. 68-69.
[86] - Shejh Jusuf Rifai, Nasihatu ulemai Nexhd, sipas: Dehlan etj., op. cit., fq. 69.
[87] - F. Rahman, op. cit., fq. 278.
[88] - F. Karcic, Drustveno pravni ..., op. cit., fq. 64. Lexo: Dehlan etj., op. cit., fq. 48.
[89] - Mehmed Handžic, Obnavljanje islama, në: Takvim 1400, Sarajevë, 1980, fq. 112. Mustafa Ceric, Suvremena duhovna kretanja u islamskom svijetu, në: Problemi suvremenog pristupa islamu, Zbornik Radova Drugog Simpozija Zagrebacke Dzamije, Zagreb, 1409/1989, fq.79.
[90] - F. Rahman, op. cit., fq. 275-276.
[91] - F. M. Denny, op. cit., fq. 761. Edhe Muhammed Kutub e numëron vehabinjt si lëvizje,e cila kishte për qëllim pastrimin e islamit nga supersticioni që ishte i pranishëm ndër muslimanët si islam. Muhammed Kutb, Jesmo li mi muslimani, Sarajevë, 1997.
Mani' Ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuatu el-mujessiretu fi el-edjani ve'l-medhahibi ve'l-ahzabi'l-measireti, pjesa I, botimi III, Rijad, 1418, fq. 170-171.
[92] - F. Rahman, op. cit., fq. 277-278.
[93] - M. Ceric, op. cit., fq. 79.
[94] - M. Ceric, op. cit., fq. 79.



Literatura:

1). Abdullah ibn shejh Muhammed ibn Abdulvehhab, Muhtesar siret'ur-Rresul, botimi I, Medinë, 1419 h./1999.
2). Aleksandar del Val, Islamizam i Sjedinjene Države alijansa protiv Evrope, Beograd, 1998.
3). Dëshmitë e spiunit anglez Mister Hempher alias Muhammed efendi (përkthimi në dorëshkrim).
4). E vërteta rreth vehabizmit dhe vehabistëve, Prizren, 1423/2002.
5). Enciklopedija Zivih Religija, Beograd, 1990.
6). F. Rahman, Duh islama, Beograd, 1983.
7). F. William Engdahl, Stoljece rata - Anglo-americka naftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000.
8). Fikret Karcic, Drustveno pravni aspekt islamskog reformizma (tezë doktorature), Sarajevë, 1990.
9). Filip Hiti, Istorija arapa, botimi II fototip, Sarajevë, 1988.
10). Henry Laoust, Raskoli u islamu, Zagreb, 1989.
11). Islamska Misao, revistë islame fetare, kulturore dhe shkencore, nr. 27/1981, Sarajevë.
12). Joseph von Hammer, Historija Turskog /Osmanskog/ Carstva, 3, Zagreb, 1979.
13). M. Ikbal, Obnova vjerske misli u islamu, bot. II i plotësuar dhe i ndryshuar, Sarajevë, 2000.
14). M. M. Sharif, Historija Islamske Filozofije, II, Zagreb, 1988.
15). Mani' Ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuatu el-mujessiretu fi el-edjani ve'l-medhahibi ve'l-ahzabi'l-measireti, pjesa I, botimi III, Rijad, 1418.
16). Mevlana Halid-i Bagdadi, Iman i Islam (I'tikadnama), New York, USA, 1999.
17). Muhammed Asad, Rruga për në Mekë, Shkup, 2003.
18). Muhammed Ibn Abdulvehhab, Tre themelet dhe argumentet e tyre, Shkup, 1413/1992.
19). Muhammed Ibn Abdulhevvab, Kitab et-tevhid - Monoteizmi islam, Shkup, 1412/1992.
20). Muhammed Seid Ramadan El-Buti, El-la medhhebijjetu - ahtaru bid'atin tuheddidu'sh-sheriat'il-islamijjeti, Damask, pa vit botimi, fq. 91, por edhe tërë libri.
21). Muhtesar siret'ur-Rresul, botimi I, Medinë, 1419 h./1999.
22). www.http:/answering-islam.org.uk/Gilchrist/Voll/9d.html.
23). Nerkez Smailagic, Leksikon Islama, Sarajevë, 1990.
24). Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup - Prishtinë, Tiranë, 2004.
25). Okfordska Istorija Islama, Beograd, 2002.
26). Rober Mantran, Istorija Osmanskog Carstva, Beograd, 2002.
27). Salih ibn Abdullah ibn Abdurrahman El-Abud, Akidetu'sh-shejh Muhammed ibn Abdul'vehhab es-selefijjeh ve etheruha fi'l-alemi'l-islamijj, I-II, Medinë, 1419 h..
28). Shejh Sulejmani, Es-sevarik'ul-ilahijjeh fi reddi ale'l-vehabijjeh, Damask, 1997.
29). Shih: www.al-islami.com/islam/truth_about_wahabism.php.
30). Siddik Gümüs, Ingiliz casusunun i'tiraflari ve Ingilizlerin Islam Düsmanligi, Istanbul, 2000.
31). Takvim 1400, Sarajevë, 1980.
32). Tarik Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002.
33). www.al-islami.com/islam/truth_about_wahabism.php.



Përmbajtja:

Hyrje
Prejardhja dhe emërtimi i lëvizjes
Lindja, shkollimi dhe veprimi
Fillimet dhe krijimi i shtetit vehabit
- Shteti i parë vehabit dhe rënia e tij
- Shteti i dytë vehabit
- Shteti i tretë vehabit
Parimet bazore të lëvizjes vehabiste
- Parimi i tevhidit - monoteizmit të pastër
- Parimi i afarizmit - fikhut
- Parimi shkencor dhe intelektual
Doktrina vehabiste
Vështrim lëvizjes vehabiste
Ndikimi i vehabizmit
Vehabizmi ndërmjet lavdisë dhe anatemës
Literatura e shfrytëzuar