Ditë Bajrami



Ditët e Bajramit janë momente gëzimi dhe feste që Krijuesi i botëve i ka caktuar si të tilla. Ato mbartin në vetvete kënaqësinë e brendshme që buron prej zellit të përmbushjes së adhurimit dhe shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është qëllimi final për besimtarin ...

Në vetëdijen tonë Bajrami është simbol i paqes, qetësisë shpirtërore dhe mëshirës. Ndërkohë ne jetojmë ditë ku njerëzimi dhe shoqëria jonë, të zgjuar me shpresa të reja, më shumë se kurrë kanë nevojë edhe një herë për qetësi shpirtërore dhe mëshirë.

Zemrat kërkojnë ditë feste, kërkojnë bajram, kërkojnë dashuri e mirëkuptim, trokasin në derën e mëshirës dhe faljes, shpresojnë vëllazërinë dhe zemërgjerësinë. Kjo atmosferë që individit dhe shoqërisë mund t'ia mundësojë veçse horizonti i fesë dhe i besimit, është ndoshta bajrami i vërtetë që ne kërkojmë, ndonjëherë të vetëdijshëm dhe ndonjëherë e vendosur në subkoshiencën tonë, kjo është festa për të cilën kemi nevojë. E kështu Bajram i vërtetë për besimtarin është pastrimi prej mëkateve dhe fillimi i një jetë të re.

Që Bajrami të ketë kuptim e të mund ta shijojmë atë, ne si besimtarë duhet të reflektojmë mbi përgjegjësitë tona, të trokasim në derën e pendesës, të flakim nga shpirti ynë urrejtjen, xhelozinë, smirën, armiqësinë, të triumfojmë mbi dëshirat e egos dhe me sjelljet dhe veprat tona të fitojmë mëshirën dhe faljen.

Në këndvështrimin e atyre që e njohin sadopak, bajrami më i madh për njerëzimin filloi me ardhjen e mëshirës për botët, Hz. Muhamedit a.s.. Nuk arrij ta perceptoj një Bajram pa atë që na mësoi Bajramin, nuk mund ta shijoj mëshirën dhe faljen pa atë që na njohu me Zotin e faljes dhe mëshirës. Prandaj besoj fort se shoqëria do ta shijojë me të gjitha thellësitë e veta magjepsëse bajramin dhe gjithçka në këtë botë, vetëm duke njohur mirë Profetin Muhamed a.s..

Bajram do të jetë kur myslimanët të ripërtërijnë me vendosmëri besnikërinë ndaj Kur'anit. Myslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kur'anit, dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kur'anit, jo vetëm që s'mund të jenë myslimanë, por as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre! Kur'ani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore i lindur në horizontin e njeriut, duke zbritur nga lartësia e lartësive në masën e vlerës së njeriut dhe duke marrë parasysh unitetin trup-mendje-shpirt të tij!

Bajram për mbarë botën do të jetë kur njerëzimi, i zhveshur nga paragjykimet do të hedhë shikimin edhe një herë drejt horizontit të fesë. Kjo e fundit është njohja e ekzistencës dhe njësisë së Zotit, arritja e kthjelltësisë shpirtërore duke vepruar në rrugën e Tij, harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit në emër të Tij dhe sipas urdhrave të Tij, shfaqja e një interesimi dhe dashurie të thellë ndaj gjithë ekzistencës!

Feja është një burim i pashtershëm që përmban parimet e vërteta të qytetërimit. Në sajë të fesë, njeriu lartësohet në botën e tij ndjesore, arrin në botët tejfizike, në horizontin ku mund të pijë sa të dojë nga burimi i vërtetë i të gjitha dobive, bukurive dhe virtyteve.

E kështu, ndërsa jetojmë ditët e bajramit të Ramazanit, urojmë dhe shpresojmë që e nesërmja të jetë bajram për mbarë njerëzimin, ku të kapur dorë për dore e të vëllazëruar, të shijojnë së bashku mirësitë e Zotit që nuk kanë të sosur.



Autor: Ali ZAIMI