I'tikafi



Shprehja "I'tikaf" në kuptimin gjuhësor do të thotë: qëndrim, ndejtje, mbyllje, izolim dhe vazhdimësi në një send pa marrë parasysh se është vepër e mirë apo keqe. Kurse shprehja "I'tikaf" në terminologjinë e jurispudencës islame nënkupton: "Qëndrimi (ndejtja) në xhaminë në të cilën falet namazi me xhematë duke qenë agjërueshëm, me qëllim i'tikafi".

Nga ky definim e shprehjes i'tikaf nënkuptojmë se i'tikafi është ibadet, i cili realizohet me izolimin nëpër xhami ku ka të emëruar Imam dhe muezin, përkatësisht ku falen pesë kohët e namazit me xhemat.

Se i'tikafi është rregull, ibadet dhe afrim te All-llahu xh.sh. vërteton Kur'ani Falëlartë dhe sunneti i pastër. All-llahu xh.sh. ka thënë: وَ لاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَ أَنْتُمْ عَاكِفُونَ فِي المَسَاجِدِ - "Mos iu afroni atyre kur jeni të izoluar në xhamia".

Argument nga hadithi për ligjëzimin e i'tikafit kemi hadithin që e transmeton Abdullah ibni Omeri, i cili ka thënë: قَالَ كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَعْتَكِفُ الْعَشْرَ الْأَوَاخِرَ رَمَضَانَ - "Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme izolohej (hynte në i'tikaf) dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit". [1]


Urtësia e i'tikafit

I'tikafi më i vlefshëm është i'tikafi në xhaminë Bejtullah (Qabe), në Meke, pastaj në xhaminë e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në Medine, e më pas në Xhaminë e Aksasë në Kuds, kurse i'tikafi nëpër të gjitha xhamitë tjera është i njëjtë pavarësisht se ku gjendet ajo xhami.

S'ka dyshim se i'tikafi konsiderohet adhurim dhe afrim tek All-llahu xh.sh., andaj si i tillë ai ka edhe dobitë dhe urtësitë e tij, e që ne në këtë rast do të prekim disa nga to: I'tikafi konsiderohet pastrim shpirtëror, zemëror dhe pastrim i mendjes nga anomalitë aksidentale me të cilat njeriu ballafaqohet gjatë jetës së kësaj bote. Distancimi nga interesat e jetës së kësaj bote dhe përqendrim të plotë në adhurim dhe dashurinë ndaj All-llahut xh.sh. duke shprehur gatishmëri të plotë që të zbatojë urdhrat e All-llahut xh.sh., vetëm për hir të dashurisë dhe respektit ndaj Krijuesit të tij.

Gjatë izolimit në i'tikaf të jepet rasti që të përjetosh Natën e Kadrit, natë kjo, e cila është shpëtim dhe paqe për besimtarët islamë dhe më e dobishme se sa njëmijë muaj, natë kjo në të cilën bëhet lidhshmëria e sferës së tokës me sferat qiellore.

Shprehje gatishmërie që të sakrifikojë çdo gjë me interes të kësaj jete, vetëm për të arritur dashurinë dhe kënaqësinë e All-llahut xh.sh..

Në këtë kontekst mjafton të përkujtojmë fjalët e Imam Ata bin Ebi Rebah-tabiij, nxënësi i Ibni Abbasit dhe në anën tjetër njëri ndër mësuesit e Ebu Hanifes, i cili kur flet për dobinë e i'tikafit veç tjerash thotë: "Shembulli i personit, i cili është në I'tikaf është sikur shembulli i një personi, i cili qëndron para portës së një sunduesi, apo Imami për të kërkuar ndonjë dëshirë që ka mundësi për t'ia plotësuar. Për këtë person flet gjuha e gjendjes së tij edhe nëse nuk flet me gjuhën, e cila shpreh fjalë. Kurse Imam Ez-Zahidiju thotë:"Është çudi për njerëzit si e kanë braktisur(harruar) i'tikafin, kur dihet se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme disa vepra i bëri gjithherë e disa nuk i veproi asnjëherë, porse i'tikafin nuk e braktisi asnjëherë prej se erdhi në Medine e derisa vdiq".


Kushtet e i'tikafit

Për t'u arritur qëllimet finale nga i'tikafi duhet plotësuar këto kushte:

1. Personi, i cili hyn në i'tikaf patjetër duhet të jetë musliman, sepse i'tikafi i jomuslimanit nuk është i kërkuar e as i vlefshëm.

2. Të jetë psikikisht dhe fizikisht i shëndoshë dhe mos të jetë fëmijë i vogël.

3. I'tikafi të bëhet në xhaminë në të cilën ka Imam dhe muezin, respektivisht në xhaminë në të cilën falen xhematë pavarësisht se a falen pesë kohët e namazit, apo jo. Sipas mendimit të Imam Ebu Jusufit i'tikafi vaxhib, nuk lejohet të bëhet në xhamitë që nuk kanë të caktuar Imam dhe muezin për faljen e pesë kohëve të namazit, kurse për i'tikafin nafile lejohet edhe në mesxhide.

4. Nijeti është kusht i i'tikafit, sepse i'tikafi është adhurim dhe afrim te All-llahu xh.sh., andaj pa nijet i'tikafi nuk është i vlefshëm dhe nuk e plotëson premtimin pa të.

5. Pastrimi nga papastërtia.

6. Lirimi nga menstruacioni (hajzi dhe nifasi), e kur është në pyetje i'tikafi i premtuar (vaxhib), është kusht i vlefshmërisë.

7. I'tikafi i femrës pa lejen e bashkëshortit është i pavlefshëm, pavarësisht se për cilin lloj të i'tikafit bëhet fjalë, për atë të premtuar (vaxhib) apo për atë sunnet. Nëse bashkëshorti i jep leje bashkëshortes së tij për i'tikaf, nuk posedon më të drejtën që t'ia ndërpresë i'tikafin. Femrat i'tikafin e tyre e bëjnë në shtëpinë e tyre, përkatësisht në dhomën në të cilën e kanë veçuar për namaz, e nëse hyn në i'tikaf në xhami, i'tikafi i saj është i vlefshëm, porse është mekruhi tenzihen, ngase i'tikafi i saj në shtëpi është më prioritar.


Dispozitat e i'tikafit

Sipas dijetarëve të shkollës juridike hanefite, llojet e ittikahit janë tri e ato janë:

1. Vaxhib siç është I'tikafi i premtuar. Ky lloj i nedhrit mund të jetë me shkak, sikur të thotë; nëse më shërohet djali nga sëmundja, atëherë për Allah do të bëjë itikaf tri ditë, por mund të jetë edhe pa shkak thjesht të thotë: Do të qëndrojë për Allah tri ditë në Itikaf.

2. Sunnet i fortë i mjaftueshëm (sunneti muekkede) siç është I'tikafi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, që do të thotë: nëse e veprojnë disa shkarkohen të gjithë të tjerët nga ky sunnet.

3. Mustehab që është I'tikafi në kohët tjera.


1. - I'tikafi vaxhib (i premtuar)

I'tikafi vaxhib është i'tikafi i premtuar me apo pa ndonjë rast mjafton të thotë: Vendosa që të hyj në i'tikaf tri ditë për hir të All-llahut xh.sh. Imam Buhariu për i'tikafin e premtuar në koleksionin e tij përmbledh hadithin e transmetuar nga Abdullah b. Omeri që babai i tij Omer b. Hatabi kishte pyetur Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe i kishte thënë: يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنِّي نَذَرْتُ فِي الْجَاهِلِيَّةِ أَنْ أَعْتَكِفَ لَيْلَةً فِي الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ فَقَالَ لَهُ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَوْفِ نَذْرَكَ فَاعْتَكَفَ لَيْلَةً - "O i Dërguari i All-llahut, kam premtuar në injorancë që një natë të bëj i'tikaf në Bejtullah (Qabe), e Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha: "Plotësoje-zbatoje premtimin tënd, dhe bëre një natë në i'tikaf". [2]


Dispozita e agjërimit gjatë i'tikafit të premtuar (vaxhib)

Të gjithë dijetarët, fukahatë islamë, janë të një mendimi: nëse personi ka premtuar që të bëjë i'tikaf dhe gjatë i'tikafit do të agjërojë, për të qenë i'tikafi i tij i vlefshëm patjetër duhet që i'tikafin ta shoqërojë me agjërim, dhe se në të kundërtën i'tikafi i tij është i pavlefshëm. Çështja për të cilën dijetarët islamë kanë mospajtime është: kur personi ka premtuar të bëjë i'tikaf, porse nuk ka premtuar asgjë për agjërim. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij agjërimi është kusht [3] i vlefshmërisë së i'tikafit të premtuar. Të këtij mendimi janë edhe fukahatë e Medinës dhe shumica e malikive.

Argumenti se agjërimi është kusht i vlefshmërisë së i'tikafit është hadithi që e transmeton Aisheja r.a. se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë : لاَ اِعْتِكَافَ إِلاَّ بِصَوْمٍ - "Nuk ka i'tikaf pa agjërim". [4]

Koha me e ngushtë me të cilën plotësohet i'tikafi vaxhib është një ditë, ngase në të kushtëzohet agjërimi.


2. - I'tikafi sunnet

I'tikaf sunet i fortë i mjaftuar është i'tikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i'tikaf ky që e praktikoi Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme deri sa vdiq, kurse pas tij e kishin praktikuar edhe bashkëshortet e tija, sahabët etj.. Transmetohet se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në fillim kishte hyrë në i'tikaf në dhjetëshin e mesëm të muajit të Ramazanit, e pasi ishte liruar nga i'tikafi kishte ardhur Xhibrili a.s. dhe i kishte thënë: Vërtet, atë që e kërkon është para teje, do të thotë natën e Kadrit, atëherë hyn në i'tikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Nëse shtrohet pyetja se pasi që Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nuk e ka braktisur asnjëherë i'tikafin, atëherë ky i'tikaf duhet të jetë vaxhib e jo sunnet ? E vërteta është se ky ibadet është sunet, ngase Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nuk e qortoi askënd që e braktisi këtë ibadet, e sikur të ishte vaxhib do t'i kishte qortuar braktisësit.


3. - I'tikafi mustehab

I'tikaf mustehab konsiderohet çdo i'tikaf jashta i'tikafit të premtuar dhe atij sunnet në Ramazan. Në i'tikafin mustehab nuk është kusht agjërimi. I'tikafi mustehab është i pakufizuar në kohë, që do të thotë se edhe një qëndrim i shkurtë me nijet i'tikafi konsiderohet i'tikaf.



Gjërat që e prishin i'tikafin

Gjërat që e prishin i'tikafin janë:

1. Marrëdhëniet seksuale, edhe nëse ato bëhen pa ejakulim dhe pavarësisht se bëhen gjatë ditës apo natës, gjithashtu edhe nëse bëhen me harresë. gjatë qëndrimit në i'tikaf, All-llahu xh.sh.ka ndaluar mardhëniet seksuale me ajetin kur'anor ku thotë: وَ لاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَ أَنْتُمْ عَاكِفُونَ فِي المَسَاجِدِ - "E kur jeni të izoluar (në i'tikaf) në xhami, mos t'u afroheni atyre (për marrëdhënie imtime)". [5]

Sipas hanefijve ejakulimi i spermës nuk e prish i'tikafin nëse ajo bëhet vetëm me parafytyrim, apo vetëm me shikim dhe ëndërr. [6]

2. Dalja nga xhamia. Sipas mendimit të Ebu Hanifes dalja nga xhamia pa arsyetim një orë (disa çaste) e prish i'tikafin, ngase rukni - shtylla e i'tikafit është qëndrimi i vazhdueshëm në xhami, andaj nëse del nga xhamia i'tikafi prishet ngase humbet rukni, e pa rukn nuk ka ibadet siç është rasti me agjërimin, po të hash pak apo shumë prishet agjërimi, kurse sipas mendimit të Imam Muhammedit dhe Imam ebu Jusufit i'tikafi prishet, nëse del nga xhamia më shumë se gjysma e ditës, e këtë dispozitë e përfitojnë nga koha e nijetit gjatë agjërimit.

3. Alivanosja dhe çmenduria. Nëse personi, i cili është në i'tikaf alivanoset, apo sëmuhet psikikisht dhe një gjendje e tillë zgjat shumë ditë, prishet i'tikafi i tij. [7]

4. Hajzi dhe nifasi (menstruacioni) Femërave u prishet i'tikafi gjatë kësaj kohe dhe këto ditë i bëjnë kaza pas pastrimit të tyre.

5. Të ngrënit dhe të pirit gjatë ditës së i'tikafit me qëllim sipas mendimit të atyre dijetarëve që kushtëzojnë vlefshmërinë e i'tikafit me agjërimin, kurse ngrënia dhe pirja me harresë nuk e prish i'tikafin, ngase nuk e prish as agjërimin.

6. Largimi nga feja (renegati). Nëse personi, i cili është në i'tikaf largohet nga feja islame, prishet i'tikafi i tij. Këtë e vërteton ajeti kur'anor, ku thotë: لَئِنْ أَشْرَكتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ - "Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara". [8]

Nëse prishet i'tikafi vaxhib, atëherë duhet bërë kaza me përjashtim, nëse i'tikafi prishet me anë të largimit nga feja-renegati nuk obligohet me kaza. Nëse i'tikafi ka qenë i pa përcaktuar sikur të ketë vendosur të rrijë në i'tikaf dhjetë ditë, atëherë bën kaza ditët e ngelura, sepse i'tikafi nuk ripërsëritet nga fillimi.

Është Mekruh tahrimen heshtja në i'tikaf duke menduar se heshtja është ibadet dhe afrime te All-llahu xh.sh., sepse heshtja nga mekatet e gjuhës është ndër ibadetet më madhështore.

Gjithashtu është mekruh që në i'tikaf të sillen artikujt e tregtisë, kurse blerja e artikujve për të cilët ka nevojë ai, apo familja e tij pa e sjellë në vend nuk është e urrejtur me përjashtim të kontratës së shitblerjes, e cila nuk lejohet.

Gjatë qëndrimit në i'tikaf, personi që ka hyrë në të është mirë që të fletë vetëm fjalë të mira dhe të dobishme, të merret sa më shumë me leximin e Kur'anit dhe hadithit, me ibadet etj..



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Përmbledh Buhariu Nr:1885.
[2] - Përmbledh Buhariu Nr:1901.
[3] - Sipas mendimit të medhhebit shafij dhe hambelij dhe disa dijetarëve tjerë i'tikafi i premtuar-vaxhib mund të bëhet dhe të jetë i vlefshëm edhe pa agjërim, ngase agjërimi nuk është kusht i vlefshmërisë, nëse ai vetë nuk e ka kushtëzua.
[4] - Përmbledh Bejhekiu, Darulkutnij 2/199.
[5] - El-Bekare :187.
[6] - Sipas malikive prishet i'tikafi, nëse bëhet ejakulimi vetëm me parafytyrim dhe shikim qoftë natën apo ditën, me qëllim apo me harresë.
[7] - Sipas mendimit të malikive alivanosja nuk e prish i'tikafin, ashtu siç nuk e prish edhe gjumi.
[8] - Ez-zumer:65.