Lutja ndaj Allahut përmes mjeteve për afrim tek Ai (Tevesuli)!



Janë tre mënyra për t'iu drejtuar Allahut me lutje përmes mjete për afrim ose me ndërmjetësim:


- 1). Tevesuli përmes veprave (tewessul bil a'mal)

Kjo ka të bëj me përdorimin e veprave të mira dhe sjelljeve të mira si ndërmjetësim në lutjen ndaj Allahut xh.sh.. Për shembull, thuhet: "O Allah, të lutëm ma plotëso nevojën për hir të filan veprës që kam bërë në filan ditën".

Ky lloj i tevesulit është i lejuar, madje i rekomanduar, sipas të gjithë imamëve të mëdhenj klasik - me asnjë mospajtim rreth lejueshmërisë së tij.

Argumenti për lejueshmërinë e këtij lloji është në ndodhinë e famshme që është përshkruar nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) të tre njerëzve të një populli para nesh të cilët ishin bllokuar në një shpellë. Secili prej tyre i kërkoi Allahut duke përmendur veprën e tyre, dhe pastaj thanë: "O Allah, nëse e kam bërë këtë duke kërkuar vetëm kënaqësinë Tënde, atëherë na ndihmo (nga kjo që na ka ndodhur)". Si pasojë, Allahu bëri që guri të lëvizte dhe ata të tre u larguan nga shpella, (Buhariu dhe Muslimi).


- 2). Tevesuli përmes njerëzve të gjallë (tevesul bil ahja)

Kjo ka të bëj me përdorimin e një njeriu të gjallë si ndërmjetësues gjatë lutjes ndaj Allahut xh.sh., për shkak të devotshmërisë së tij dhe afërsisë së tij me Allahut. Për shembull, thuhet: "O Allah, të lutem ma përmbush nevojën time për hatër të filan personit, robit të devotshëm dhe dashurisë që ke për të".

Ky lloj i tevesulit është po ashtu i lejuar sipas të gjithë imamëve dhe juristëve klasik, pa asnjë mospajtim rreth lejueshmërisë së tij.

Argumenti për lejueshmërinë e tij, në mes tjerave, është transmetimi i Enes ibn Malikut (r.a.), që sahabiu Omer ibn Hattabi (r.a.) ka kërkuar shi nga Allahu në kohë të thatësirës përmes ndërmjetësimit të xhaxhait të Pejgamberit (s.a.v.s.) - Abbas ibn Abdulmuttalibit (r.a.), (Sahih Buhari).


- 3). Tevesuli përmes njerëzve të vdekur (tewessul bil emwat)

Kjo ka të bëjë me përdorimin e një personi që ka ndërruar jetë - si ndonjë Pejgamber ose Evlija - si ndërmjetësim gjatë lutjes ndaj Allahut xh.sh., për shkak të devotshmërisë dhe afërsisë së tij me Allahun xh.sh. Për shembull thuhet: "O Allah, të lutem ma përmbush nevojën time për hir të Pejgamberit tënd që e do" ose thuhet: "O Allah, të drejtohem ty përmes Pejgamberit tënd".

Kjo formë e tevesulit është e lejuar sipas shumicës dërmuese të imamëve klasik (selef) dhe juristëve (fukaha) përfshirë katër medh'hebet (shkollat) sunite. Vetëm Ibni Tejmije dhe ata që e pasuan atë e kundërshtojnë këtë gjë, duke thënë që mohon konceptin e Tevhidit.

Në mesin e shumë dëshmive të lejueshmërisë është hadithi i Uthman ibn Hunejfit (r.a.) në të cilin i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) një njeri që u ankua për verbërinë e tij e këshilloi që të falte dy rekate namaz dhe pastaj të thoshte: "O Allah, unë të lutem Ty dhe të drejtohem ty përmes Pejgamberit tonë Muhammedit (s.a.v.s)., Pejgamberit të mëshirës ...", (Tirmidhiu) i njëjti Uthman ibn Hunejf, pasi ndërroi jetë Pejgamberi (s.a.v.s.) e këshilloi një person që e vizitoi atë vazhdimisht, në lidhje me një nevojë të tij, që ta bënte të njëjtën, (Taberani, el-Mu'xhem el-Kebir, klasifikur SAHIH nga Bejhakiu, Mundhiri, Hejthemiu dhe të tjerë).

Për më tepër, nëse forma e dytë e tevesulit është e lejuar (përmes njerëzve të gjallë), atëherë forma e tretë (përmes njerëzve të vdekur) duhet të jetë po ashtu e lejuar, pasi që në të dy rastet, njeriu i lutet Allahut e jo individit. Nuk është përmes trupit ose jetës dhe vdekjes, por përmes kuptimit pozitiv që i është bashkangjitur personit në fjalë në jetën dhe vdekjen e tij.

Në realitet, edhe forma e dyte edhe e tretë mund të konsiderohen thjeshtë si manifestime të formës së parë të tevesulit, domethënë kërkimi i ndërmjetësimit përmes veprave tona. Kjo për shkak se kur dikush bën tevesul në lutje, ai thjeshtë thekson gradën e lartë të personi para Allahut dhe dashurinë për të, duke thënë: "O Allahu, ky Pejgamber i yti është i afërt me ty. Unë nuk kam vepra të mira, por kam dashuri për këtë të devotshëm. Më fal mua dhe m'i fal mëkatet e mia për shkak të dashurisë që kam për këtë rob tëndin të devotshëm". Si e tillë, ajo që prezantohet para Allahut është "dashuria" dhe "lidhja" me Pejgamberin, që në realitet është vepër e mirë.

Para se të përfundojmë këtë seksion, është me rëndësi të cekët se lutja (duaja) nuk kërkon domosdoshmërisht tevesulin. Ideja që duaja nuk pranohet nëse nuk bëhet tevesul në dua, është e gabuar. Dikush mund të mos përdor asnjëherë ndërmjetësues në dua, dhe duke mos bërë këtë gjë nuk ka bërë asgjë gabim. Dhe Allahu e di më së miri.


Të thirrurit dhe kërkimi i ndihmës prej tjerëve përveç Allahut (Istigatha dhe isti'ana bil ghajr)

Ka disa mënyra të thirrjes dhe kërkimit të ndihmës së tjerëve përveç Allahut:


- 1). Thirrja e tjerëve në terme imagjinare

Kjo është kur për shembull një poet i adresohet një Pejgamberi, evlijae, apo ndonjë objekti jo të gjallë në terme imagjinare dhe figurative, vetëm për të shprehur dashurinë dhe merakun për të. Poezi të tilla janë transmetuar prej një numri të imamëve dhe dijetarëve të mëdhenj të islamit në të cilën ata adresojnë të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.), njerëzit te devotshëm, qytetin e Medinës, zogjtë, malet, e kështu me radhë.

Ky lloj i thirrjes është në vetvete i lejuar sepse qëllimi këtu nuk është të thirrja mbi të adresuarin dhe besimi nuk është që ata janë duke dëgjuar drejtpërdrejtë. Por kjo bëhet vetëm për prej dashurisë dhe dëshirës për ta. Mirëpo, në një atmosferë ku fjalët e tilla mund të keqkuptohen ose të shpien deri në besime të gabuara, atëherë duhet shmangur prej tyre. (Fetava Usmani, mufti Taki Usmani 1/58-5).


- 2). Kërkimi i ndihmës prej njëri tjetrit në çështje të dynjasë

Kjo i referohet kërkimit të ndihmës prej një personi të gjallë në çështje që janë nën kontrollin e tij, ose në shkaqe të dukshme (el-asbab el-zahira). Për shembull kërkimi i ndihmës prej mjekut për trajtim, marrja e ilaçeve, ose kërkimi i ndihmës nga mekaniku për ta rregulluar makinën, etj. Kjo qartazi është e lejuar dhe nuk kërkon asnjë dëshmi, me kusht që besimi është që ai prej të cilit kërkohet ndihmë është thjeshtë sebep, dhe vetëm Allahu është ai që në të vërtetë sjell efektet.


- 3). Kërkimi i duasë nga personat e gjallë

Kjo i referohet kërkimit të personit të gjallë si një dijetari, të devotshmi, prindi, miku, udhëtari, etj., për t'u lutur për ne, duke pasur bindjen që gjasat që Duaja e tij të pranohet janë të mëdha për shkak të gradës së tij, vendit ose situatës.

Kjo padyshim që është e lejuar. Dëshmia për lejueshmërinë është në hadithin që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i thotë sejidina Omerit (r.a.) kur ky i fundit ishte duke u nisur për Umre, "O vëllau im, mos na harru në lutjet tua", (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).


4) Kërkimi i të vdekurit për Dua

Kjo bëhet në dy mënyra:

- a). Të shkuarit tek varri i një Pejgamberi ose personi të devotshëm dhe t'i kërkohet atij që të lutet për ne. Për shembull, thuhet: "O filan, lutu për mua që Allahu të mi plotësoj nevojat".

Rregulli në lidhje me këtë ka të bëj me çështjen se a mund të dëgjojnë të vdekurit në varret e tyre apo jo. Në këtë çështje ka një mospajtim në mes të sahabëve dhe dijetarëve klasik (por, nuk ka mospajtim se a mund të dëgjojnë Pejgamberët), ku shumë dijetarë - si Ibn Abdulberr, Ibn Xherir Taberi, Ibn Kutejbe dhe Ibn Kethiri (r.a.) - afirmojnë të dëgjuarit (simaa) të të vdekurve, dhe ky është edhe qëndrimi i Abdullah ibn Omerit.

Në mesin e provave që mbështesin këtë qëndrim është hadithi i transmetuar nga Enes ibn Maliku, që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Vërtetë kur robi vihet në varr, dhe shoqëruesit e tij largohen prej atij, ai dëgjon zhurmën e sandaleve të tyre", (Sahih Muslim).

Së dyti, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i adresoi jobesimtarët e vdekur në ditën e Bedrit duke iu thënë: "Ne e gjetëm atë që Zoti ynë na premtoi neve, a e gjetet ju atë që zoti juaj ua premtoi juve?" Omeri (r.a.) pyeti: "O i Dërguar i Allahut! Po ju flet trupave që nuk kanë shpirtra?" I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i tha: "Ti nuk dëgjon më mirë (se ta) çfarë u them, vetëm se ata nuk mund të më përgjigjen", (Buhariu dhe Muslimi).

Së treti, komentuesi i madh (mufesir) Ibn Kethiri (r.a.), nën komentimin e Sures Rum (3:438), përcjell një hadith prej Ibn Abdulberrit, i cili e saktëson atë, prej Ibn Abasit (ra) prej të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) që: "Askush nuk kalon nga varri i vëllait të tij musliman që e ka njohur në këtë botë dhe ta përshëndes atë, e Allahu të mos ia kthej atij shpirtin dhe ai t'ia kthej përshëndetjen atij".

Në anën tjetër, qëndrimi i Aishes dhe një grupi të dijetarëve është që të vdekurit nuk mund të dëgjojnë. Ata përdorin për dëshmi ajetin: "Me të vërtetë, ti nuk mund të bësh që të vdekurit të dëgjojnë, as nuk mund të bësh të shurdhrin që të dëgjojë, pasi që të kthejnë shpinën (prej teje)", (27:80).

Vërejtje: Imam Sujutiu thotë që ajeti i mësipërm është një deklaratë alegorike (en-Nafi xha'e ala m'ana el-Mexhaz), dhe kuptimi i vërtetë i ajetit është që "Nuk mund t'i bësh të dëgjojnë udhëzimin" (ma'nahe sema huda), d.m.th. ata janë të vdekur dhe nuk mund të udhëzohen tani. Shih: Xhelaluddin es-Sujutiu, El-Hawi lil Fetawa, 2:169-175, (Shënim i përkthyesit).

Prandaj, në pajtim me qëndrimin që të vdekurit mund të dëgjojnë në varret e tyre, do të ishte e lejuar t'u kërkohet të vdekurve për dua dhe ndërmjetësim tek varri i tyre. Dhe anasjelltas, në pajtim më qëndrimin tjetër që të vdekurit nuk dëgjojnë në varret e tyre, nuk do të ishte e lejuar një gjë e tillë.

- b). Të thirrurit e një Pejgamberi ose evlia të vdekur nga distanca (jo tek varri i tij) për t'u lutur për ne. Për shembull, duke qenë në shtëpi të thuhet: "O Pejgamber, të lutem lutu për mua që Allahu të mi fal mëkatet".

Pasi që nuk ka shembuj të tillë në literaturën e hadithit dhe prej shembullit të sahabëve dhe muslimanëve të hershëm, është më së miri që t'i shmangemi kësaj. Shumica e dijetarëve e konsiderojnë të ndaluar, pasi që nuk ka dëshmi të 'qarta' që sugjerojnë që kërkesa do të dëgjohet ose do t'i përcillet personit që ka ndërruar jetë. Vërtetë që hadithi përmend që përshëndetjet (salavat) për Pejgamberin (s.a.v.s.) i përcillen atij (nga engjëjt), por nuk përmendet që duatë (lutjet) i përcillen po ashtu.

Është e 'mundshme' që Allahu t'ia përcjell mesazhin të vdekurit, por meqë nuk ka dëshmi ose shembuj, është më së miri t'i shmangemi - në veçanti në rastet kur personi që ka nderruar jetë nuk është Pejgamber por evlia ose i devotshëm.


- 5). Thirrja dhe kërkimi i ndihmës prej personave të vdekur në çështjet e dynjasë përmes dhënies së Allahut

Kjo nënkupton kërkimin e ndihmës prej një personi që ka ndërruar jetë në çështje që normalisht janë në kontroll të personave të gjallë ose në shkaqe të jashtme (el-esbab ez-zahireh). Për shembull, t'i kërkohet personi të vdekur para ose t'i kërkohet ndihmë në rregullimin e makinës - duke besuar që ai është thjeshtë mjet dhe jo i pavarur nga Allahu, dhe që është vetëm Allahu ndihmon në terme absolute dhe pa Të askush nuk mund të ndihmoj.


- 6). Thirrja dhe kërkesa për ndihmë në çështjet e të fshehtës përmes dhënies së Allahut

Kjo i referohet kërkimit të të vdekurit (ose të gjallit) si ndonjë Pejgamberi ose evlijae për ndihmë në çështjet e të fshehtës (el-umur el-ghajbijjeh) që nuk janë normalisht në kontroll të njerëzve. Për shembull, të kërkuarit për kohë (mot) të mirë, fëmijë, begati ose ndihmë në kohë të vështirësive, si të thënët "Ja Resulallah, më ndihmo" (Ja Resul-Allah, Meded) ose t'i adresohesh personit në varr dhe të thuash "më ndihmo në sprovën time" ose "o evlia, më jep fëmijë" - duke besuar që ai ndihma e të cilit kërkohet është vetëm mjet për afrim (wasileh) dhe jo i pavarur nga Allahu, dhe që vetëm Allahu ndihmon në terme absolute dhe pa të askush nuk mund të ndihmojë.

Ndonëse disa dijetarë e kanë lejuar këto dy lloje të istigathës (lloji 5 dhe 6) me kusht që të jetë besimi i shëndosh që është vetëm Allahu ai që ndihmon në terme absolute, opinioni i shumë dijetarëve të tjerë përfshirë shumicës së mësuesve të mi (dhe qëndrimin që unë e shoh si korrekt) është që ky lloj i istigathës është 'shprehje' e shirkut dhe prandaj e ndaluar ndonëse bëhet me një besim të shëndosh. Kërkimi i ndihmës në një çështje që nuk është normalisht në dorën (kontrollin) e atij ndihma e të cilit kërkohet mund të krijoj dyshime që ai person është i pavarur në atë veprim. Pasi që është shprehje praktike e shirkut, mjet që shpien te shirku dhe i përngjan [së jashtmi] shirkut të politeistëve (mushkrikëve), është i ndaluar. Kjo ndalesë është për të penguar rrugën që shpijnë tek shirku i 'pastër', në veçanti në kohën tonë, për shkak të injorancës së përhapur dhe besimeve të në mesin e masës (popullit).

Mirëpo, ai që bën istigatha të këtij lloji nuk është në fakt duke kryer shirk dhe kufr (mosbesim), por një akt mëkati. Duhet masur kujdes në akuzimin e muslimanëve si politeistë (mushrik) ose si të dalë nga islami, në veçanti kur ky person mund të jetë dijetar dhe ka besimin e shëndoshë.

Shënim: Çuditërisht autori së pari thotë që disa dijetarë e lejojnë këtë lloj istigathe, pastaj thotë që këto së jashtmi janë 'shprehje shirku' , dhe më poshtë thotë se kryerësi bën mëkat. Këtu ai mohon parimin e vendosur që në çështjet ku ka mospajtim (ihtilaf) në mesin e dijetarëve, asnjëra palë nuk duhet akuzuar palën tjetër. Prandaj, e shohim të arsyeshme të cekim se kryerësi i këtij lloji të istigathes nuk duhet akuzuar për mëkat apo shirk, meqë është çështje ku ka mospajtim në mesin e dijetarëve. (Shënim i përkthyesit).

- 7). Thirrja dhe kërkimi i ndihmës prej të vdekurve (ose të gjallëve) në terme absolute

Kjo ka të bëj me kërkimin e një Pejgamberi ose evlijae drejtpërsëdrejti për ndihmë, duke besuar që Allahu i ka dhënë ca nga fuqia e Tij këtij personi në një fushë të caktuar, pas së cilës ai është bërë i pavarur në ato fuqi, dhe mund të bëj çfarë të dojë, kur të dojë, t'i jap kujtdo që dëshiron dhe nuk i jep kujt nuk dëshiron, pa pasur nevojë për leje nga Allahu në çdo moment që ai përdor ato fuqi (sikurse kur mbreti i delegon fuqinë e tij mëkëmbësit dhe zyrtarëve tjerë të tij). Për shembull, t'i kërkohet një evliae fëmijë duke besuar që atij i është dhënë kontroll i tërësishëm në këtë fushë nga Allahu.

Istigatha me këtë lloj besimi është shirk i madh, dhe e nxjerrë personin nga feja Islame, për shkak se personi supozon që i vdekuri [ose i gjalli] ka një karakteristikë të përbashkët me Allahun.

Ky ishte lloji i shirkut që kryenin idhujtarët dhe politeistët e Mekës, dhe është qortuar e dënuar rreptësisht nga Allahu. Për dallim prej mbretërve të botës, Allahu nuk ka nevojë për kësi sundimtarë që punojnë për Të, dhe që pasi kanë marrë fuqitë nga Allahu, bëhen të pavarur. Mbretërit e botës kanë nevojë për kësi deputetë për shkak të dobësisë së tyre, ndërsa Allahu i plotfuqishëm nuk ka nevojë. Të gjitha çështjet janë në dorën e Tij, dhe asgjë nuk është në dorën e dikujt tjetër në një mënyrë të pavarur.

Allahu thotë: "Ata që i adhuroni në vend të All-llahut janë vetëm emra me çka i keni emërtuar ju dhe baballarët tuaj, All-llahu nuk u ka shpallur kurrfarë argumenti. Gjykimi i takon vetëm Allahut, Ai ka urdhëruar të mos adhuroni askënd përveç Atij. Ajo është e vetmja fe e qëndrueshme, por shumica e njerëzve nuk e dinë", (12:40 - përkthimi: Feti Mehdiu).

Dhe: Thuaj: "Kush është Ai në duart e të cilit është pushteti mbi të gjitha, e që merr në mbrojtje dhe nuk ka nevojë për t’u marrë në mbrojtje, e dini?", (23:88 - F.M.) Në këtë mënyrë të pavarur na kanë mësuar që të kërkojmë ndihmë vetëm prej Allahut, në surën Fatiha: "Vetëm Ty të adhurojmë, dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë", (1:5 - F.M.).

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Kur të kërkoni, kërkoni nga Allahu; dhe kur kërkoni mbështetje, kërkojeni nga Allahu".

Edhe më serioze është kur ai prej të cilit kërkohet ndihma konsiderohet omnipotent (kadir el-mutlak), d.m.th., ka fuqi absolute, të përhershme, të brendshme (të vetat) dhe nuk është i varur nga vullneti i Allahut, dhe kjo fuqi nuk i është dhënë nga Allahu. Një besim të tillë nuk e kanë pasur as jobesimtarët dhe idhujtarët e mekës rreth objekteve të tyre të adhurimit.

Dhe Allahu e di më së miri.



Autor: Mufti Muhammed ibn Adam
Përktheu dhe përshtati: Fatih Ibrahimi