Multimedhhebizmi mes konfliktit dhe mirëkuptimit



Tashmë besoj se gjithkush që posedon pak kulturë fetare islame, është në dijeni se në aplikimin praktik të Islamit, aktualisht, brenda Ehli Sunetit, gjejmë katër shkolla të mirëfillta juridike dhe një rrymë të re pak më tepër se dy shekullore. "Aktualisht" do të thotë që më parë ka pasur më tepër, por që me kalimin e kohës kanë humbur ndjekësit e tyre.

Në shikim të pare, multimedhhebizmi, pra ekzistenca e më tepër se një shkolle juridike, duhet të shpjerë në konflikt. Edhe historia na tregon që me të vërtetë ka pasur konflikte, kryesisht verbale, në ambientet multimedhhebore.

Nga ana tjetër, po historia na dëshmon se, në fakt shkaku i konflikteve nuk ka qenë multimedhhebizmi, por (I) përqasja e papërshtatshme ndaj medhhebit që ndjek, pra fanatizmi i shfrenuar, (II) përqasja negative ndaj pluralizmit, pra mospajtimi me faktin që edhe dikush tjetër mund të ketë të drejtë, (III) si dhe menaxhimi i mangët ose mangësia e institucioneve drejtuese.

Do ishte paradoks i madh që Islami të ofronte një përqasje që të lejon të jetosh në paqe e harmoni me fetë e tjera, por të veprojë të kundërtën e kësaj kur bëhet fjalë për mendimet ndryshe brenda vetë llojit. Po marrim si shembull Perandorinë Osmane për shkak se ka qenë ndoshta udhëheqja më rigoroze në ndjekjen e një shkolle juridike të caktuar, në këtë rast atë Hanefite.

Sipas shembullit të kësaj perandorie, çdo Myfti ishte i detyruar të jepte fetva sipas mendimit të përzgjedhur të medhhebit. Por, kjo s'do të thotë që nuk aplikoheshin praktikat e shkollave të tera juridike. Në rast se personat që kërkonin mendim nga Myftiu ishin ndjekës të shkollës Shafiite për shembull, atëherë Myftiu Hanefi nuk i jepte fetva. Për rastet të tilla ishte përcaktuar një Myfti rezervë me përkatësi të medhhebit Shafii. Ky i dyti, jepte fetva sipas shafiive. Në këtë formë edhe fetvatë e medhhebeve të tjera ishin të legjitimuara nga vetë autoriteti fetar zyrtar. Pra, medhhebi zyrtar nuk ishte autoritar ndaj medhhebeve të tjera.

Çështja është shumë delikate, sepse çdo jurist ka fushën e vetë. Një person, qoftë ky një dijetar i kualifikuar, që i përket shkollës Shafiite nuk duhet të "shpërndajë" fetva të një shkolle tjetër juridike.

Atëherë liria e mendimit dhe e aplikimit të medhhebeve edhe në drejtimin më strikt Hanefi, nuk ka qenë dhunuar. E pra, në një ambient të tillë, mes medhhebeve, nuk gjeje as garë për mbizotërim. Përveç rasteve shumë të veçanta, nuk gjejmë konflikte ndërmedhhebore, që të çojnë deri në diskutimin e medhhebit zyrtar.

Një pyetje e drejt që mund të shtrohet në këtë rast është se, nëse ka liri në përzgjedhjen dhe aplikimin e medhhebit, përse kemi zyrtarizim të një shkolle juridike? Kjo ndodh sepse, mungesa e një medhhebi zyrtar do të çonte në kaos. Madje më sipër thamë që edhe ndër mendimet e imamëve brenda medhhebit Hanefi, nuk mund të jepje fetva e të gjykoje, me cilin mendim të duket më i drejtë. Nëse në lidhje me një çështje të caktuar, imamët e medhhebit janë në mendime të ndryshme, atëherë gjejmë që ka edhe një mendim të konsoliduar me kalimin e kohës. Ai është mendimi i përzgjedhur, në bazë të të cilit çdo myfti jepte fetvanë (el-hukmu'r-râxhih, mâ el-fetuâ alejh, el-muftâ bih). Këto fetva janë grumbulluar në vepra si el-Multeka apo ed-Durer.

Gjithashtu, realiteti i ekzistencës së medhhebit zyrtar, i shtynte dijetarët me përkatësi të tjera medhhebore, që për hir të unifikimit të besimtarëve, të mos reagonin në çështje që shkaktonin përçarje të komunitetit. Por, a nuk ka pasur aspak diskutime mes përfaqësuesve të këtyre medhhebeve? Patjetër që ka pasur, por jo tek populli. Këto diskutime kanë qenë mes dijetarëve në kuvendet e dijes dhe jo në hutbe. I gjen gjithashtu në veprat shkencore, por jo në Facebook.

Nisur nga shembujt e mësipërm, rezulton se problemi i konflikteve nuk është mendimi ndryshe dhe jo ekzistenca e më tepër se një shkolle juridike, por tek forma se si ne i trajtojmë dhe i paraqesim çështjet. Nëse një mendim prezantohet si e drejtë absolute, atëherë automatikisht lind nevoja për të përjashtuar dhe ndoshta "denigruar" mendimin tjetër, kërkohen "fajtorët" dhe ky fenomen, në komunitet, shfaqet edhe si përjashtim i individëve që përvetësojnë atë mendim. Por nëse qasja ndaj çështjes është e mirëmenaxhuar nga personat përgjegjës, besimtarët e thjeshtë, në vend që të kërkojnë se kush e ka gabim, bien në paqe, sepse shkollat juridike nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Deri më tani kemi treguar se përjashtuesit jemi "ne".



Autor: Elton Karaja